Novak Djokovic është një hap larg fitimit të titullit të tij të 10-të në Australian Open dhe barazimit me Rafael Nadal si tenisti me më shumë trofe të fituar në turnetë Grand Slam (22).
Nole mposhti 3-0 me sete Tommy Paul në gjysmëfinalen e edicionit të sivjetshëm dhe në finale do të përplaset me Tsitsipas, që iu imponua 3-1 rusit Khachanov.
“Kam imagjinatë të fortë, por me sa duket jo aq shumë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se gjërat mund të arrinin deri në këtë pikë. Jam i bekuar dhe jam shumë mirënjohës për këtë. Mundohem të shijoj çdo moment. Ky është një sport individual dhe të gjithë sytë janë tek unë, por merita duhet t’u jepet atyre që e meritojnë dhe pa familjen dhe ekipin tim, që më mbështetën në kohë të mira dhe të këqija, nuk do të ishte e mundur të arrija këtu,” – u shpreh Djokovic pas suksesit në gjysmëfinale me amerikano-veriorin Tommy Paul.
Stefanos Tsitsipas, i cili kërkon titullin e tij të parë Grand Slam në karrierë, është pengesa e fundit në rrugën drejt një nate tjetër lavdie në Melburn për Nolen. Një finale që vendos kryesimin i renditjes ATP, një ripërsëritje e finales së Roland Garros të vitit të kaluar.
“Kujtimet e asaj loje janë të mira sepse fitova (qesh). Ishte finalja e tij e parë Grand Slam dhe, me Stefanos, është gjithmonë betejë fizike dhe emocionale. Ai ka evoluar shumë vitet e fundit dhe mendoj se është një nga lojtarët më interesantë në turne, brenda dhe jashtë fushës. Ka stilin e tij. Të fitojë më i miri”, – deklaroi Djokovic.
Top Channel