Bërthama e brendshme e Tokës mund të ketë reshtur rrotullimin në kahun e deritanishëm dhe po lëviz në drejtimin e kundërt, duke ndjekur një cikël oshilacionesh që zgjat rreth 70 vjet.
Në këtë përfundim kanë dalë studiues të Universitetit të Pekinit, të publikuar në revistën Nature Geoscience. Raporti i tyre daton në 23 janar, dhe fliste për mundësinë e këtij ndryshimi, por ekspertë të tjerë thonë se kjo gjë mund të ketë ndodhur tashmë! Bëhet fjalë për një ndryshim i cili, sic shpjegojnë ata, nuk ndikon direkt mbi jetën tonë të përditshme.
Por ai mund të justifikojë ndryshimin e gjatësisë së ditës çdo 60 apo 70 vjet, si dhe luhatjet e fushës magnetike të Tokës. Bërthama e planetit tonë përbëhet nga një shtresë e jashtme e lëngshme metali të shkrirë dhe një shtresë e brendshme e ngurtë, që është rreth 70 për qind sa madhësia së Hënës.
Në përgjithësi besohet se bërthama rrotullohet në drejtim të kundërt të akrepave të orës kur shihet nga Poli i Veriut. Xiaodong Song dhe Ji Yang, të cilët janë autorët e studimit pretendojnë se ai që quhet “planeti brenda globit” mund të rrotullohet në mënyrë të pavarur sepse noton në bërthamën e jashtme të shkrirë, rreth 3100 milje nën sipërfaqen e Tokës.
Mekanizmi i saktë me të cilin rrotullohet bërthama e brendshme ka qenë e mbetet sidoqoftë objekt polemikash mes shkencëtarëve, dhe ky hulumtim i fundit nuk pritet të kalojë pa diskutime. Song dhe Yang pretendojnë se rrotullimi i bërthamës së brendshme u ndal thuajse krejtësisht në 2009-tën e më pas rinisi në drejtimin e kundërt, e kanë bindjen se kjo bërthamorë lëkundet para dhe pas në raport me sipërfaqen e Tokës, si një lavjerrës.
Top Channel