Hetimet nga SPAK dhe autoritetet italiane/ Grupi kriminal furnizonte Evropën me drogë, 119 arrestime në total

26/01/2023 14:13

119 persona janë arrestuar në total gjatë operacioneve antidrogë të zhvilluara pas hetimeve të SPAK dhe autoriteteve italiane.

Grupi kriminal furnizonte me drogë disa shtete të Evropës.

Mbi 120 kilogramë kokainë e importuar holandeze dhe mbi 15 kilogramë heroinë shumë e pastër për t’u shpërndarë më pas tek klientët është sekuestruar. Heroina dhe kokaina janë gjetur në dy laboratorë të vendosur në provincat e Kremones dhe Milanos.

Gjithashtu janë sekuestruar 129 kilogramë marihuanë dhe 92 kilogramë hashash në provincat Mantua dhe Modena. Sipas informacioneve, farat janë importuar në Itali për kultivim në dy sera.

Policia ka sekuestruar gjithashtu shumën totale prej 5,068,340,00 eurosh.

Sot u ekzekutuan 43 masa në Itali dhe Shqipëri nga Autoritetet Gjyqësore italiane dhe shqiptare si rezultat i hetimeve të policisë gjyqësore të kryera në kuadër të Grupit të Përbashkët Hetimor (KSHS) të nënshkruar ndërmjet Prokurorisë Publike Bergamo dhe SPAK për të goditur trafikun e gjerë të kokainës, heroinës, marihuanës dhe hashashit në Evropë.

Hetimet janë si rezultat i bashkëpunimit efektiv të krijuar midis autoriteteve gjyqësore të Bergamos dhe Tiranës, nën kujdesin e Eurojust dhe me mbështetjen e Europol, Shërbimi i Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar – Zyra e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe të projektit të Komisionit Europian.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka reaguar në lidhje me operacionin më çmontimin e bandës së trafikut të drogës ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, e cila thotë se ky grup kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga tre shqiptar (B.L, G.B dhe E.M).

Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në lidhje me operacionin “HIGHWAY”.

Hetimet janë kryer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bergamos, në Itali, e cila është mbështetur nga Eurojust, Europol, si dhe është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga ana financiare nga Projekti IPA/2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në Itali dhe në Shqipëri është bërë e mundur që të zbulohet një grup kriminal që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka patur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Nga hetimet e përbashkëta janë mbledhur provat e nevojshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ky grup kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga tre persona shtetas shqiptar (shtetasit B.L, G.B dhe E.M), të cilët kanë koordinuar veprimet midis tyre për drejtimin e grupit kriminal.

Ndërsa, si pjesëmarrës në këtë grup kriminal që kanë bashkëpunuar me drejtuesit e grupit dhe me njëri tjetrin, janë identifikuar 18 persona të tjerë shtetas shqiptar, të cilët në vënde dhe në periudha të ndryshme, kanë kryer aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.1, datë 23.01.2023 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për 20 persona dhe masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për 1 person, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Deri në këtë moment janë ekzekutuar masat e sigurimit për 15 persona dhe vijojnë veprimet për ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë”- njofton SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA