Prokurorët në pesë rajone të Ukrainës janë shkarkuar nga detyra, pas një skandali korrupsioni të profilit të lartë, që solli dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve në të gjithë vendin.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm deklaroi më 25 janar se prokurorët e rajoneve të Zaporizhzhya, Kirovohrad, Poltava, Sumy dhe Chernihiv ishin shkarkuar nga detyrat e tyre.
Skandali i korrupsionit shpërtheu më 22 janar, kur Ministria e Mbrojtjes u akuzua nga një gazetë investigative për mbipagimin e furnizuesve për ushqimin e ushtarëve ukrainas.
Në të njëjtën ditë, zëvendësministri i Infrastrukturës i Ukrainës u arrestua me dyshimin se kishte marrë ryshfet prej 400 mijë dollarësh për importimin e gjeneratorëve në shtator, një akuzë të cilën ai e mohon.
Nënkryetari i administratës presidenciale, Kyrylo Tymoshenko, njoftoi më 24 janar se i kishte paraqitur dorëheqjen Zelensky-t.
Pak kohë pas njoftimit të Tymoshenkos, zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov, që ishte përgjegjës për furnizimin e ushtrisë me ushqim dhe pajisje, gjithashtu dha dorëheqj për korrupsion.
Dy zëvendësministra, Vyacheslav Nehoda dhe Ivan Lukerya nga Ministria e Komuniteteve dhe Zhvillimit të Territoreve të Ukrainës dhanë gjithashtu dorëheqje më 24 janar.
Po të njëjtën ditë, Oleksiy Symonenko, zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, u shkarkua.
Largimet e zyrtarëve pasuan njoftimin e presidentit Volodymyr Zelensky, më 23 janar, se do të bënte ndryshime në udhëheqje në nivele të ndryshme.
Top Channel