Ish-ushtari i UÇK-së Nusret Cena është gjetur i vdekur në veturën e tij në Kaçanik të Vjetër.

Policia njofton se sipas hetimeve të para dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të Cenës. Vdekjen e tij në vend ngjarje e kanë konstatuar mjekët.

Në Soponicë, fshat ky afër vendit ku u vra Nusret Cena është gjetur një veturë duke u djegur e që policia dyshon se u përket personave që kryen vrasjen.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ende nuk ka njoftuar mbi motivet e mundshme që mund të kenë çuar deri te vrasja e Nusret Cenës.

Por që Cena nuk është i panjohur për organet e drejtësisë në Kosovës.

Ai akuzohej për vrasjen tre personave në Soponicë të Kaçanikut në vitin 2007, ku sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorët e Misionit të EULEX-it Nusret Cena dhe dy persona të tjerë target kishin Neshat Baftiun të cilin mendohet ta kenë vrarë derisa po lëvizte me veturë. Si pasojë e këtij atentati mbetën të vrarë edhe Urim e Sylejman Baftiu.

Vite më vonë, nga kjo aktakuzë u lirua Cena, por që kjo shkaktoi trazira mes prokurorëve të EULEX-it. Ish – prokurorja Maria Bemiah akuzonte për marrje ryshfeti prej 300 mijë euro prokurorin e rastit Frencesco Flori.

Nusret Cenës i ishte ngritur aktakuzë si pjesë e grupit prej 8 personave për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” ku mbetën të vrarë dy persona dhe 11 të tjerë u lënduan. Edhe për këtë rast, Cena gjashtë vjet më vonë u lirua nga aktakuza.

Nusret Cena ishte dënuar me burg vetëm për zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.

Top Channel