Reshjet e shiut dhe dëborës kanë përfshirë sot gjithë vendin në një situatë meteorologjike të përkeqësuar.

Korrespondentja e Top Channel në qarkun e Gjirokastrës, Kristina Fidhi raporton se një situatë e rëndë është shkaktuar nga rrëshqitja e dheut në fshatin Katundisht të Këlcyrës.

Nga rrëshqitja rrezikohen pesë shtëpi deri tani.

Balta në zonën e banuar ka shkuar deri në një metër dhe të pesta familjet me rreth 24 anëtarë janë strehuar tek bashkëfshatarët, pasi banesat janë shpallur të pabanueshme.

Emergjenca është serioze, ndërsa e gjithë zona duhet të lëvizë.

Rrëshqitja masive ka shkaktuar humbje të tokës bujqësore, emergjencë që nuk shihet prej vitesh.

Banorët janë ankuar më parë në bashki për të gjetur zgjidhje, ndërsa pritet të mbërrijë një ekip i emergjencave.

Top Channel