Në pritje të strukturës së re të policisë e cila do të riorganizojë punën dhe sektorët e policisë dhe rrjedhimisht do të ketë dhe emërime të uniformave blu për t’ju përshtatur funksionit, kreu i policisë ka firmosur disa ndryshime në nivel zëvendësdrejtorësh dhe shefa komisariati.

Ajo që bie në sy është fakti se dhe këto emërime janë rokadë e emrave që kanë drejtuar më herët institucione të caktuara.

Pavarësisht se që në marrje të detyrës në krye të policisë Rrumbullaku tha se emërimet do të bëhen nga këshilli i emërtesës në bazë të performancës kjo nuk reflektohet në lëvizjet e fundit.

Kështu lëvizi shefi i komisariatit Devoll i cili u pezullua më herët pasi dyshohet se lejoi prerjen e paligjshme të pyjeve, në këtë detyrë u emërua Kreshnik Alimadhi. Nga ana tjetër nga detyra lëvizi dhe Edmond Pjetri i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e shefit të komisariatit nr. 2 në kryeqytet që ka reflektuar një performancë të mirë.

Ka qenë ky komisariat që hetoi dhe zbuloi vjedhjen në banesën e ish-shefes së kabinetit të ministrisë së ekonomisë Alda klosi, ku ende 400 mijë eurot janë pa pronar. Në këtë detyrë u emërua Loard Sallaku.

Po ashtu rohadë bënë dhe drejtuesit e komisariatit Sarandë dhe Pogradec. Oljon Agollit iu besua drejtimi i komisariatit Sarandë ndërsa Klodian Kondit komisariati i Pogradecit.

Idriz Daulle u emërua shef i komisariatit Shkodër duke zëvendësuar në detyrë Asllan Shytin.

Ndryshime pati dhe në nivel zëvendësdrejtori ku Elton Alushi u emërua në Vlorë ndërsa Ardit Elmazi në Korçë.

Top Channel