Amir Abrashi ka rinovuar kontratën me Grasshoppers. Mesfushori i kombëtares shqiptare (50 ndeshjeve dhe një gol me kuqezinjtë), u rikthye te Grasshoppers në verën e vitit 2021, duke nisur aventurën e tretë me këtë skuadër.
“Pitbulli” shqiptar ka zhvilluar 11 ndeshje këtë sezon me skuadrën nga Zyrihu. 32-vjeçari është kapiteni i Grasshoppers, tifozët e duan, ndërkohë që drejtuesit e klubit helvet i kanë zgjatur kontratën deri në vitin 2024.
185 ndeshje numëron në total Abrashi me Grasshopers, skuadër me të cilën fitoi Kupën e Zvicrës në vitin 2013. “Amiri është një pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre, ai luan një rol vendimtar në të gjitha aspektet.
Di saktësisht se çfarë do të thotë të jesh në gjendje të luash për Grasshoppers dhe ai e udhëheq ekipin brenda dhe jashtë fushës, me zemrën dhe shpirtin e madh që ka. Jemi të lumtur që rinovuam me një lojtar kaq të rëndësishëm dhe një person shembullor“, deklaroi Bernt Hass, drejtori sportiv. Në lidhje me rinovimin foli edhe “luftëtari” shqiptar:
“Ishte një vendim shumë i lehtë për mua. Jam shumë i lumtur dhe mezi po pres të luaj edhe një tjetër vit me klubin tim të zemrës. Dëshiroj të falënderoj drejtuesit e klubit për besimin që kanë vazhdimisht tek unë dhe do të vazhdoj të bëj më të mirën për të ndihmuar ekipin brenda dhe jashtë fushës”.
Top Channel