“Tregoni kush janë politikanët spiunë”/ Kërkesa e parë në Autoritetin e Dosjeve pas ndryshimit të ligjit

23/01/2023 12:42

Demokratët që ndjekin linjën e Enkelejd Alibeaj trokitën në dyert e Autoritetit te Dosjeve  për të marrë informacion nëse gjatë demokracisë ka pasur deputet te lidhur me ish-sigurimin e shtetit.

Kërkesa zyrtare u bë nga Kreshnik Collaku, i cili shfrytëzoi  ndryshimet që iu bënë ligjit në fundin e vitit 2022, ku përfshihet  edhe riverifikimi i zyrtarëve që më parë kanë qenë të pajisur me  një certifikatë pastërtie.

Në zbatim të dispozitave të sipërcituara, si dhe në mbështetje të neneve 8 dhe 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga ana juaj vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumenteve dhe informacioneve që dispononi lidhur me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentare për periudhën 1991 – 2023.”– u shpreh Collaku.

Ndryshimet ligjore që gjetën konsensusin mes socialisteve dhe demokratëve të Alibeajt mori vrull pas shkresës së Autoritetit ku  shtetasi Ilir Meta figuroi me dosje  në arkivën e ish-sigurimit të shtetit. Por, heqja e  barrierave për  të aksesuar lehtësisht  dokumentet e ish sigurimit  nuk u shoqërua me  zbulimin e spiunëve,  të cilët mund  ishin infiltruar në politik  pas regjimit komunist. Demokratët këmbëngulin që Autoriteti  të hapë letrat para betejave te ardhshme elektorale.

Letra e plotë e deputetit Kreshnik Çollaku drejtuar Autoritetit të Dosjeve:

E Nderuar Znj. Sula,
Me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 72/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Në përmbajtje të këtij ligji, është parashikuar që në nenin 20, pas pikës 1, të shohet pika 1.1 me përmbajtje si më poshtë:
1.1 Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi është i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorim të informacionit të marrë.
Ndërsa, në nenin 44, është parashikuar shtimi i pikave 4 dhe 5 me përmbajtje si më poshtë:

4. Të deklasifikohen të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të parashikuara në këtë ligj për periudhën 29 nëntor 1944 deri ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë.

5. Autoriteti përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cënimin e sigurisë kombëtare, i klasifikon ato sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.
Pikërisht, në zbatim të dispozitave të sipërcituara, si dhe në mbështetje të neneve 8 dhe 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga ana juaj vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumenteve dhe informacioneve që dispononi lidhur me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentare për periudhën 1991 – 2023.

Sjell në vëmendjen tuaj, se neni 8, paragrafi i dytë i ligjit nr. 8550/1999, përcakton një afat 15-ditor për kthimin e përgjigjes, megjithatë duke pasur parasysh volumin e informacionit të kërkuar, mirëkuptoj kohën e nevojshme shtesë që mund t’iu duhet për përgatitjen e përgjigjes.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel