Gjermani/ Në mars ligji i ri emigracionit, rritje kontigjenti nga Ballkani Perëndimor

21/01/2023 08:29

Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil, gjatë promovimit të strategjisë së re për daljen nga kriza e fuqisë punëtore përpara Budestagut, nënvizoi edhe një herë se Gjermania ka një problem të madh me fuqinë punëtore.

Ai deklaroi se projektligji i ri për emigrimin e fuqisë punëtore do të jetë gati në mars.

Ndër të tjera, ky legjislacion parashikon rritjen e kontingjentit të emigracionit me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor.

“Sigurimi i punëtorëve të kualifikuar është sigurimi i prosperitetit”, tha Heil.

“Nëse nuk i heqim tani pengesat, deri në vitin 2035 do të na mungojnë shtatë milionë punëtorë të kualifikuar”, shtoi ai.

Strategjia e re qeverisë, e cila iu kalua për shqyrtim komisioneve përkatëse në Bundestag, parashikon shfrytëzimin e potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.

Por sipas Heil shfrytëzimi i potencialit të brendshëm nuk mjafton për ta zgjidhur problemin “pa migracion, nuk dalim dot nga kjo krizë”, tha ministri.

Drafti  paraprak i këtij projektligji tregon se risia e tij është e ashtuquajtura “kartë shansesh”, që do të thotë një vizë njëvjeçare për të kërkuar punë në Gjermani. Viza jepet në bazë të një sistemi pikësh, që mund të mblidhen, bazuar në katër kritere:  njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Një tjetër element i projektligjit të ri është rritja e kontingjentit të punëtorëve që vijnë me rregulloren e Ballkanit Perëndimor.

Sipas draftit që ka DW është parashikuar, që ky kontingjent të dyfishohet, nga 25 000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë në vit.

Top Channel