Shtabet emergjente të komunave të prekura nga vërshimet kanë filluar punën për vlerësimin e dëmeve.
Komuna e Klinës ka njoftuar që deri më 30 janar qytetarët mund të aplikojnë për të bërë një vlerësim të tillë.
E në Komunën e Skënderajt të shtunën komisionet e formuara kanë filluar punën në terren. Madje, kjo komunë ka krijuar edhe një fond ku qytetarët mund të kontribuojnë financiarisht.
Në Mitrovicë, Istog e Podujevë komisionet do të fillojnë punën nga e hëna për vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se që nga e premtja është duke u punuar që të largohet uji nga shtëpitë e përmbytura me anë të pompimit.
Ekipet emergjente kanë filluar edhe furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e zonave të përmbytura. Po ashtu po punohet edhe në lirimin për qarkullim të rrugëve të bllokuara pas rrëshqitjes së dheut.
Mijëra hektarë tokë bujqësore, shtëpi e biznese janë vërshuar pas reshjeve mes natës së enjte dhe premte në Mitrovicë, Istog, Klinë e Skënderaj.
Top Channel