Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu kritikat ndaj Bashkimit Evropian gjatë një bashkëbisedimi në Davos të Zvicrës, ndërsa u shpreh se trajtimin që po u bëhet vendeve të Ballkanit Perëndimor, më shumë se gjysma e shteteve s’do ishin pjesë e saj.
“Zgjerimi i Horizonteve të Europës” ishte paneli i zhvilluar sot në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror 2023, në Davos, me të ftuar Kryeministrin Edi Rama, Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola, Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, si dhe Kryeministrin e Irlandës Leo Varadkar.
Si mundet Komuniteti i ri Politik Evropian të ndihmojë Bashkimin Evropian dhe fqinjët e tij të forcojnë peizazhin e sigurisë së kontinentit mes ndryshimeve më të gjera gjeopolitike – ishte tema e diskutimeve, nën moderimin e gazetarit të Politico-s Jamil Anderlini.
-BE e përshkruan veten si një superfuqi vlerash. Unë do ta argumentoja që ka një lloj qasjeje të shenjtë kur vjen fjala për të drejtat e njeriut, e shtetin e së drejtës ndaj vendeve të tjera. Sa e ka dëmtuar ky skandal, jo vetëm imazhin e gjithë BE, por edhe sa ndiheni ju në raport me të?
Kryeministri Edi Rama: Në fakt, unë e kuptoj që më drejtohesh mua se do fishekzjarrë prej meje. E dëgjova Robertën. Besojeni apo jo, ajo po thoshte atë çfarë unë e them me vete shpesh dhe e them ndonjëherë kur takohem me europianë qysh prej shumë kohësh. Ajo me mjaft të drejtë kërkoi që edhe lajmet e mira të jenë të dukshme. Zoti e di sesa lajme të mira mund të ishin të dukshme nga Shqipëria e nga rajoni dhe ato kurrë s’kanë qenë të dukshme për sytë e vetë Parlamentit Europian. Kështu që kur e thashë që nuk do të isha i çuditur që në fund të dilte si konspiracion ballkanik, nuk është larg së vërtetës.
Dy shembuj: Na u kërkua, apo donim të bënim dhe u mbështetem shumë dhe natyrisht na u kërkua shumë që të bënim nje proces fshese të gjithë sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe siç bëjmë gjithmonë, hymë me besim të plotë, krenari të plotë sepse po bëjmë diçka që perënditë tona europiane do ta duan e do ta mbështesin. Pa merreni me mend pak, fshesa ishte kaq radikale sa që befas mbetëm pa Gjykatë Kushtetuese. 9 nga 11 gjyqtarë u fshinë sepse nuk justifikonin pasurinë e tyre. Ne menduam që europianët do ta admironin këtë por na thanë: “ju nuk keni një Gjykatë Kushtetuese”. Kështu që u bë problemi ynë kryesor. Ne operuam pacientin dhe ndërkohë që ndërhyrja ishte tejet e suksesshme na thanë: “pacienti nuk po vrapon”.
– Ju e vratë pacientin.
Kryeministri Edi Rama: Ne e kuruam tërësisht, por BE donte që pacienti të vraponte, sepse kishin zgjedhjet dhe para sesa të bënin zgjedhjet, nuk mund të na jepnin dritën e gjelbër. Së dyti, Roberta tha sesa mirë ishte për Maltën që hyri në BE. Më lini të them që procesi ka ndryshuar, ka ndryshuar tërësisht, është bërë procesi më neurotik dhe më i padrejtë që është mirë për ne, është një ushtrim mjaft i mirë i nervave dhe është një transferim mjaft i mirë i njohurive sepse pa BE-në, vendet e Ballkanit nuk do të kishin të ardhme, duke qenë se BE-ja është i vetmi burim njohurie sesi të ndërtohen institucionet, shteti demokratik, e kështu me radhë. Por, në qoftë se do t’u rezervonin të njejtin trajtim vetë shteteve anëtare, duhet t’iu them dhe nuk po them Malta, por më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Bashkimit europian nuk do ta kishin më të mundur të hyjnë në Bashkim Europian ,do ta kishte të pamundur. Nuk flasim për shtete ish-komuniste, por flas dhe për themeluesit, më besoni. Ky është realiteti, por për ne, për mua dhe kjo nuk është shaka, BE-ja është destinacioni i vetëm. Çfarëdo që të kërkojë, edhe nëse nuk mbërrijmë kurrë aty, ajo çfarë është e rëndësishme është që të kemi një shtet të ngjashëm me BE-në, me institucione të mirëfillta, me llogaridhënie të mirëfilltë, e kështu me radhë. Por, Roberta ndjesë, më duhet ta them. Kur doli kjo çështja e korrupsionit tek ju, thashë që “Karma te vjen hakut”
-Ka një lidhje këtu, ka një lidhje. Në fakt, ka dhe një apo dy pyetje, por në qoftë se keni deklaratë dhe jo pyetje, do t’iu hiqet mikrofoni. Kështu që, në qoftë se doni të bëni një pyetje, jo deklaratë. Nëse doni të bëni pyetje për këtë panel të shquar, jeni të mirëpritur, nëse jo, atëherë do t’i bëj një pyetje Leos.
Kryeministri Edi Rama: Po thoja “A mund t’i bëj unë një pyetje kryeministrit irlandez se duket sikur ka ardhur këtu për të na dëgjuar ne”. Kjo është e madhja e të qenit të korruptuar apo të qenit jashtë BE-së sepse jemi më pak të mërzitshëm, ndërsa këta janë të mërzitshëm. Në Bruksel , faleminderit shumë shkojmë kur të kemi takimet. Nuk na duhet më shumë Brukseli për këtë sesa kjo. Eja në Ballkan dhe do të shohësh sesi jeta mund të jetë shumë frymêzuese edhe në kohë krize. Pres me padurim që ta bëj këtë gjë.
Top Channel