Situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e qetë, por shumë e brishtë, e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura”, kështu ka thënë komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia, në takimin e krerëve ushtarak të NATO-s në Bruksel.

Takimi dyditësh i komitetit ushtarak të NATO-s është udhëhequr nga shefi i këtij komiteti, admirali Rob Bauer, dhe kanë marrë pjesë edhe komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Christopher Cavolli dhe komandanti Suprem i Aleancës për Transformim, gjenerali Philippe Lavigne.

Admirali Bauer tha se ushtarët e KFOR-it janë duke e bërë maksimumin në ruajtjen e paqes, por sipas tij, përgjigja nuk duhet të jetë vetëm mbi ushtarët, pasi “ka nevojë për përgjegjësi politike”.

Komandanti i KFOR-it ka përsëritur qëndrimin se ky mision është i gatshëm dhe ka kapacitetet e nevojshme të veprojë nëse duhet.

“Për aq kohë sa do të ketë rritje të tensioneve, pasiguria në mesin e popullatës rritet. Një incident i vetëm rrezikon të dëmtoj arritjet e disa viteve në krijimin e paqes dhe sigurisë”, tha ai.

Misioni i NATO-s KFOR në Kosovë, sipas të dhënave të fundit, ka më shumë se 3.700 ushtarë në Kosovë një numër i konsiderueshëm i të cilëve vinë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s.

 

Top Channel