Përmes Fondit të Komunitetit që është krijuar në Bashkinë e Tiranës, vitet e fundit qytetarët kanë pasur mundësi që të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës së pallatit ku banojnë ku gjysma e shpenzimeve paguhej nga vet banorët ndërsa gjysma tjetër nga bashkia.
Kërkesat më të shumta kanë qenë për termoizolimin e fasadës, tarracës si dhe instalimi i ashensorëve. Përmes një vendimi të këshillit bashkiak, për këtë vit është rritur vlera financimit si dhe për disa kategori shpenzimet do të paguhen 100% nga bashka e Tiranës.
“Ndryshimet kryesore janë ato për kryefamiljarët me aftësi të kufizuar, kryefamiljarë pensionistë, kryefamiljarë me ndihmë ekonomike. Bashkia e Tiranës do financojë 100% të shumës, pra nëse më parë fondi i komunitetit ka qenë 50 me 50% tani për këto tre kategori do të bëhet 100%. Dhe këtë vit në total vlera e fondit të komunitetit është dyfishuar nga 40 milionë lekë të reja është bërë gati 100 milion lek të reja”, tha Aurel Cuko, drejtor i bashkëpronësisë, bashkia Tiranë.
Vështirësia që hasnin këto kategori në mbulimin e shpenzimeve solli dhe këtë vendim të bashkisë së Tiranës.
“Duke ju referuar krizës botërore që po kalojmë apo vështirësisë ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare dhe inflacionit që është në rritje por kemi hasur edhe vështirësi kryesisht me pallate e vjetra, pallate të përbërë kryesisht me persona pensionist pra kryefamiljare pensionistë, kanë pasur vështirësi të bashkohen dhe vështirësi në mënyrën e financimit, kjo ishte arsyeja kryesore që Bashka e Tiranës vendosi edhe financimin 100%”, tha Aurel Cuko, drejtor i bashkëpronësisë, bashkia Tiranë.
Lehtësi do të ketë dhe për marrjen e lejes së punimeve duke sjellë përshpejtim të realizimit të projekteve. Gjithashtu, projekteve për vendosje të ashensorëve i është shtuar edhe riparimi i tyre. Nëpërmjet Fondit të Komunitetit do të shtohen pallatet që do të rikonstruktohen duke i dhënë një vlerë të shtuar pronës.
Në 4 vite janë kryer 256 aplikime për të përfituar nga Fondi i Komunitetit prej të cilave janë realizuar 120 projekte.
Top Channel