A dha dëshmi të rreme kancelari, Olaf Scholz lidhur me skandalin e taksave “Cum-Ex” prej miliarda eurosh? CDU dëshiron ta vërtetojë këtë dhe paralajmëron aksione të tjera.

Viti i Ri ka nisur me shumë telashe për kancelarin Olaf Scholz. Partitë opozitare CDU dhe CSU duan ta ftojnë Olaf Scholzin përsëri përpara Komisionit të Financave. Akuzat janë shumë të rënda: thuhet se politikani i SPD-së nuk ka thënë të vërtetën në deklarimet e tij për të ashtuquajturin skandal Cum-Ex. Procesverbali i një mbledhjeje të Komisionit të Financave nga korriku i vitit 2020, i cili ka qenë deri tani i klasifikuar, synon ta vërtetojë këtë akuzë.

Ndërkohë ky procesverbal është zhbllokuar nga kategoria e klasifikimit dhe është bërë publik, parlamentarët kanë akses dhe mund ta citojnë ate. Dokumenti tregon se Scholzit i kujtohej një bisedë në korrik me bankierin Christian Olearius, i cili ishte i përfshirë në mashtrimin tatimor Cum-Ex. Por nga shtatori 2020, Scholz thoshte se “nuk kishte kujtime konkrete” rreth takimeve.

Dëshmitarët duhet të thonë të vërtetën

Ai më pas dy herë tha para Komisionit hetimor parlamentar në Dhomën e Përfaqësuesve të Hamburgut, se nuk i kujtohet asgjë. Dëshmitarët janë të detyruar të thonë të vërtetën, në të kundërtën ata janë përgjegjës dhe mund të ndiqen penalisht.

Kancelari Olaf ScholzKancelari Olaf Scholz

“Deklaratat kontradiktore dhe humbja e papritur e kujtesës së kancelarit brenda pak muajsh ngrenë pikëpyetje të konsiderueshme”, tha për DW, Matthias Hauer, deputet i Bundestagut, i cili është përfaqësues i CDU në Komisionin e Financave.

Plaçkitja e shtetit

“Cum-Ex” është sinonimi i mashtrimit më të madh tatimor në historinë e Republikës Federale. Deri më sot janë 1500 të dyshuar, ndërsa janë përfshirë edhe rreth 130 banka. Bëhej fjalë për rimbursimin nga shteti të taksave mbi kapitalin që nuk është paguar kurrë. Kjo funksionoi falë një truku me ndihmën e aksioneve. Një herë në vit, kompanitë e listuara përcaktojnë nivelin e shpërndarjes së fitimit për aksionerët e tyre. Për këto dividende duhet të paguhen taksa, të cilat mund të rikthehen në rrethana të caktuara.

Me ndihmën e bankave, blloqet e aksioneve me (cum) dhe pa (ex) të drejta dividendesh shtyheshin kaq shpesh rreth datës së ndarjes së dividendeve sa që autoritetet tatimore nuk mund të kuptonin më se kush ishte në të vërtetë pronari në datën e ndarjes së tyre. Në fund të gjithë merrnin fatura nga bankat për taksat e paguara, të cilat mund t’i përdornin për të kërkuar rimbursim nga zyra e tatimeve. Ndërsa zyra e taksave ka paguar disa herë para që nuk janë marrë kurrë. Në vitin 2012 legjislatura ndërhyri dhe ndaloi transaksionet e errëta. Vlerësohet se dëmi i taksapaguesve nga Cum-Ex do të jetë mbi dhjetë miliardë euro. Hetimi po vazhdon ndonëse Komisioni i parë hetimor në Bundestag është ngritur në vitin 2016.

Skyline e zonës së bankave në Frankfurt mbi MainSkyline e zonës së bankave në Frankfurt mbi Main

Vizita e kryeministrit

Banka private e Hamburgut M.M. Warburg u përfshi në skandal. Kontrollet dhe hetimet tatimore filluan në vitin 2016. Në këstin e parë banka duhej të shlyente 47 milionë rimbursime të marra gabimisht. Anëtari i bordit dhe bashkëpronari i bankës private të Hamburgut M.M. Warburg, Christian Olearius bëri gjithçka që ishte e mundur për të shmangur shlyerjen.

Thuhet se Olearius ka pasur një ndikim masiv te politikanët dhe autoritetet në Hamburg. Ai gjithashtu iu drejtua Olaf Scholzit për ndihmë politike. Në atë kohë, Scholz ishte kryetari i parë i Hamburgut, pra kreu i qeverisë së qytetit-land. Në fund, autoritetet tatimore të Hamburgut hoqën dorë nga borxhi tatimor. Më vonë, Ministria federale e Financave, e udhëhequr nga CDU, udhëzoi Hamburgun që gjithsesi të kërkojë paratë.

Nuk është premtur asgjë, por…

A ndikuan Scholz dhe politikanë të tjerë kryesorë të SPD-së në Hamburg në trajtimin tatimor të Bankës Warburg? Olaf Scholz e ka mohuar vazhdimisht këtë, si në Komisionin hetimor parlamentar në Dhomën e Përfaqësuesve të Hamburgut, ashtu edhe në intervistat me Komisionin e Financave të Bundestagut.

Nuk ka asnjë provë për këtë në ditarët e Christian Olearius, të cilët u gjetën gjatë kontrolleve të shtëpive. Në të, bankieri vuri në dukje reagimin e kryetarit të bashkisë: Scholz “dëgjon me kujdes përshkrimet tona dhe bën pyetje të zgjuara”. Dhe më tej: “Nuk na është premtuar asgjë, mos e prisni dhe as mos kërkoni. Unë mund ta kontaktoj në çdo kohë, ai e pret këtë për këtë çështje”.

… më shumë se një takim me Scholzin

Hamburg - Skandali Cum-Ex, Banka Commercial Hamburg – Skandali Cum-Ex, Banka Commercial

Një takim i dytë na tregon se Olearius, siç shkruan ai në ditarin e tij, i dha Scholzit një letër me shtatë faqe. Në dokument, Warburg Bank shpjegon pse ka të drejtë për fondet Cum-Ex dhe pse kthimi i parave do të “rrezikonte ekzistencën e bankës”. Olearius vuri në dukje në takim se Scholz “pyet, dëgjon, nuk shpreh një mendim. Nuk zbulon se çfarë mendon dhe nuk zbulon se si ka ndërmend të veprojë. Unë e kuptoj këtë, nuk dua ta shtyj dhe ta komprometoj atë në asnjë mënyrë.”

Boshllëqet e kujtesës së Scholzit janë të lidhura ngushtë me publikimin e të dhënave nga ditari. Nga këto doli se Scholz dhe bankieri ishin takuar jo vetëm një herë, por gjithsej tri herë. “Ne mendojmë se boshllëqet e kujtesës së kancelarit janë të rreme”, thotë Hauer nga CDU. “Pas zbulimit të takimeve të tjera dhe një telefonate mes të dyve, Olaf Scholz deklaroi se nuk mban mend dhe nuk i kujtohet asgjë”.

Partitë në pushtet mbrojnë kancelarin e tyre

Këtu CDU dhe CSU duan të veprojnë edhe një herë në Komisionin për financa. Por ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse e dëshiron edhe shumica në Komision, e kjo nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e parashikueshme. SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilët së bashku formojnë qeverinë, qëndrojnë në mbrojtje të kancelarit të tyre. Kjo ishte ndryshe në vitet e mëparshme, kur Scholz sulmohej nga FDP dhe të Gjelbërit.

SPD ka interesin më të vogël që kancelari të merret sërish në pyetje. “Ndërsa Olaf Scholz dhe qeveria federale po luftojnë me sukses krizën, Unioni po vazhdon të kritikojë dhe të nxisë çështjen”, kritikon Michael Schrodi, zëdhënës për politikën financiare për grupin parlamentar të SPD dhe përfaqësues i partisë në Komisionin e Financave. Në procesverbale shihet se Scholz ka deklaruar atë që kishte lexuar në takimet për shtyp. “Por nuk thuhet gjë për takimet apo përmbajtjet e tyre”. Prandaj nuk ka asnjë kundërshtim dhe asnjë arsye për të dëgjuar përsëri kancelarin në Komision, tha Schrodi për DW.

Protestuesit kërkojnë drejtësi dhe që të gjithë përgjegjësit për skandalin me takskat Cum-Ex të japin llogari në gjyqProtestuesit kërkojnë drejtësi dhe që të gjithë përgjegjësit për skandalin me taksat Cum-Ex të japin llogari në gjyq

Marrja në pyetje në Hamburg në vend të Berlinit?

As FDP-ja nuk është e interesuar për një intervistim tjetër. Kjo është humbje kohe, tha Markus Herbrand, përfaqësuesit i FDP në Komision. Kancelari ka thënë disa herë se nuk mban mend asgjë. Në këtë drejtim, një ftesë në Komisionin e Financave nuk ka kuptim. “Zbraztësirat në kujtesë sigurisht që mund të shikohen dhe diskutohen në mënyrë kritike, por nuk mund të priten gjetje të reja nga një marrje e re në pyetje.”

Të Gjelbrit nuk shohin mundësinë e ritrajtimit të çështjes në Berlin, por në Hamburg. Ata mendojnë se Komisioni hetimor në Dhomën e Përfaqësuesve të Hamburgut është “vendi i duhur dhe i përshtatshëm për punë të mëtejshme parlamentare dhe për marrjen në pyetje të kancelarit aktual”, thotë Sascha Müller, anëtar i Bundestagut dhe kryetar i të Gjelbërve në Komisionin për Financa. Për DW ai shton: “Një tjetër marrje në pyetje në Komisionin e Financave të Bundestagut do të ishte vetëm një spektakël tjetër.”/ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA