Shqipëria dhe Kina kanë nënshkruar të martën marrëveshje për heqjen reciproke të vizave për qytetarët e dy vendeve.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë shqiptare më 18 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa marrëveshja është firmosur më 17 janar 2023.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Pas 30 ditësh Kina hapet pa viza për shqiptarët”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.
Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi pas një muaji.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, kjo marrëveshje synon lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes ndërmjet shtetasve të të dyja vendeve, për personat të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë për palën kineze.
Më tej theksohet se ky vendim do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Marrëveshja është propozuar nga pala kineze dhe do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin e lëvizjes dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve të të dyja vendeve, si edhe do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, është thënë mes tjerash në njoftimin e Ministrisë.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, shqiptarët mund të qëndrojnë pa viza në Kinë deri në 180 ditë.
Këtë mundësi qytetarët kinezë e kanë pasur për të hyrë në Shqipëri me viza turistike që prej vitit 2019.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT) për muajin dhjetor të vitit që shkoi, Kina renditet ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë: Italia (24 për qind), Zvicra (11.1 për qind), Turqia (7.7 për qind) dhe Kina (7.3 për qind).
Importet nga Kina kanë shënuar rritje të vazhdueshme, nga 53 milionë lekë (mbi 45 milionë euro) në vitin 2018 në 77 milionë lekë (mbi 66 milionë euro) më 2022.
Më parë, kryeministri Rama pati deklaruar se Shqipëria pret më shumë investime nga Kina, ndërsa investitorët kinezë kanë shfaqur interes për investime në energji dhe infrastrukturë.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rritur shqetësimet për investimet kineze në rajonin e Ballkanit, kryesisht në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Top Channel