Dy të arrestuar në lidhje me familjen indiane të ngrirë për vdekje në kufirin SHBA-Kanada (fotot)

17/01/2023 17:14

Policia në Indi tha sot se ka arrestuar dy persona në lidhje me vdekjet e katër personave pranë kufirit SHBA-Kanada në janar 2022.

Trupat e viktimave, duke përfshirë dhe atë të fëmijës tre-vjeçar, u gjetën së bashku të ngrirë, të shtrirë në një fushë në zonën kanadeze të Manitoba, 12m larg kufirit me SHBA.

Autoritetet në shtetin Gujarat, nga e kishte familja origjinën, tha se të arrestuarit ishin ndërmjetës ilegalë emigracioni nga India.

Policia tha se po përpiqet të arrestojë dy bashkëpunëtorë të tyre në SHBA e Kanada.

Familja e Jagdish Patel, 39 vjeç, Vaishaliben, 37, bija e tyre Vihangi, 11 vjeçe dhe i biri 3-vjeçar Dharmik, vinin nga fshati Dingucha, ku të gjithë kërkojnë të emigrojnë në Perëndim. Lajmi i vdekjes së tyre tragjike pasi kishin ecur disa orë në temperatura -35C, bëri xhiron e botës një vit më parë.

Familja Patels ishte mes një grupi prej 11 vetësh nga Gujarat që përpiqeshin të hynin në SHBA. Shtatë të tjerët u ndaluan nga autoritetet amerikane pasi kishin kaluar kufirin.

Mediat kanadeze raportonin se të arrestuarit akuzoheshin se vepronin si agjentë emigracioni, duke siguruar dokumente për t’u vendosur në SHBA.

Akuzat ndaj tyre përfshijnë trafik njerëzor, bashkëpunim kriminal, vrasje nga pakujdesia.

“Viktimat ishin dërguar në Toronto e më pas në Vancouver. Ndërmjetësit më pas i lanë ata në Winnipeg, Manitoba që të kalonin vetë kufirin,” shkruante agjencia indiane PTI duke cituar autoritetet.

Policia kanadeze tha se po punonte me partnerët ndërkombëtarë për të vijuar hetimin e vdekjeve tragjike.

FOTO GALERI
1/3
Ndërmjetësit më pas i lanë ata në Winnipeg, Manitoba që të kalonin vetë kufirin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA