“Vit i mrekullueshëm”/ Ministrja gjermane e Mbrojtjes jep dorëheqjen për një video!

16/01/2023 12:57

Ashtu siç përflitej, ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht ka dhënë dorëheqjen duke shkaktuar një krizë në ekzekutivin e kancelarit Oalf Scholz.

Lambrecht ishte vënë disa herë në shënjestër të kritikave, më e fundit e të cilave lidhej me një mesazh të përcjellë prej saj në natën e ndërrimit të viteve.

Ministrja kishte postuar në mediat sociale një video, ku në sfondin e zhurmës së fishekzjarreve që hidheshin në Berlin, fliste për përvojën gjatë vitit, duke theksuar, se ky vit ka qenë me “shumë impresione të veçanta, takime me njerëz interesantë dhe të mrekullueshëm”.

Por deklarata e saj në një kohë kur këtë vit ndodhi lufta me shumë viktima e Ukrainës, u konsiderua e pavend. Menjëherë, nga bankat e opozitës, CDU/CSU kërkoi dorëheqjen e Lambrecht.

Kritika ka pasur edhe për problemet në furnizimin e Bundeseehrit apo shfaqjen e saj publike.

Sipas televizionit ARD, kjo dorëheqje i kushton shumë kancelarit Sholz, i cili do të humbasë një ministre mjaft besnike. Pasuesin e pret një detyrë shumë e vështirë, sepse Ministria e Mbrojtjes ndodhet para ndryshimeve të mëdha, kjo në lidhje me jetësimin e fondit gjigand prej 100 miliardë eurosh të vënë në dispozicion për mbrojtjen pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Sipas “Süddeutsche Zeitung” shanse për këtë post do të kishte Eva Högl e SPD-së, aktualisht e ngarkuara e Bundestagut me çështjet e ushtrisë.

 

Top Channel