Deklarata kundër shqiptarëve e ministrit britanik, Ministria e Jashtme: Shmangni gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit

16/01/2023 12:46

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv me Britaninë e Madhe, pas deklaratës së ministrit të emigracionit, Robert Jenrick.

Ministria bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale, duke  paraqitur shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ministri britanik.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, njoftimi i plotë.

Gjatë deklaratës së tij, Jenrick e vendosi theksin te gjuetia e gjetjes së emigrantëve shqiptarë, ndalimi e më pas deportimi i  tyre nga UK Border Agecency, Agjencia Britanike e Kufirit.

Ky deklarim i ministrit Jenrick, është bërë në momentin kur 43 shqiptarë, mes tyre emigrantë ilegalë dhe disa të tjerë që kishin mbaruar dënimet në burgjet angleze, po dëboheshin drejt Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA