Xavi Hernández vazhdon të insistojë në konferencat e tij për shtyp se është i kënaqur me skuadrën aktuale për të garuar deri në fund të sezonit, por merkatoja dimërore është e hapur dhe te Barcelona ata janë të gatshëm të përfitojnë në rast se shfaqet ndonjë mundësi për të përforcuar skuadrën.
Në këtë skenar, në Itali sigurojnë se Barça ia ka bërë një propozim shkëmbimi Interit me protagonistë mesfushorët Marcelo Brozovic (30 vjeç) dhe Franck Kessie (26 vjeç). Këtë e raporton “Sky Sport”, duke detajuar se klubet janë në pritje të bisedës me lojtarët për të zbuluar synimet e tyre në lidhje me këtë operacion.
Kujtojmë se pak ditë më parë, gazetari Gerard Romero foli për këtë shkëmbim të mundshëm mes Kessie-t dhe Brozovicit. I njëjti gazetar theksoi mbrëmë se Barça dhe Interi kanë vënë në tavolinë edhe shkëmbimin mes Memphis Depay dhe Joaquín Correas, ky i fundit sulmues i skuadrës zikaltër me kontratë deri në vitin 2025. Holandezin e kërkon edhe Atlético e Madridit. Barça kërkoi nga klubi bardhekuq Yannick Carrascon në këmbim të Memphis, por palët nuk ranë dakord./ Super Sport
Top Channel