Shkatërrohen parmakët në Urën e Mbrostarit në Fier/ Dyshime se një mjet ka rënë në ujë, gjendet një targë në vendngjarje

15/01/2023 08:47

Një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit të kësaj të diele pranë vendit të njohur si Ura e Mbrostarit në Fier. 

Parmakët e urës janë shkatërruar e një pjesë e tyre ka rënë në ujërat e lumit Seman, ndërsa mbetet e paqartë nëse mjeti që është përplasur në të ka përfunduar në ujë apo është larguar pas përplasjes.

Në vendin e aksidentit është gjetur një targë automjeti i cili rezulton të jetë e një makine të dhënë me qira, ndërkohë që kanë mbërritur dhe ekspertë të policisë.

Sipas policisë, targa i përket një automjeti të marrë me qira nga personi M. L., 26 vjeç, banues në Fier.

Disa herë polumbarët e Reneas kanë tentuar të zhyten, por pa rezultat. Rryma e fortë dhe thellësia e madhe i ka penguar për gjetjen e automjetit që dyshohet të ketë rënë.

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit”, janë konstatuar të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure. Në anë të rrugës është gjetur targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një automjeti të marrë me qera nga shtetasi M. L., 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur. Priten polumbarët e Renea-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lum. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje“, sipas njoftimit të policisë.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel