Bekim Balaj gati të rikthehet në Shqipëri pas më shumë se një dekade.
Sulmuesi 32-vjeçar i Kombëtares Shqiptare ka mbyllur kontratën me Keciorengucu në Turqi dhe është kthyer menjëherë objekt dëshirash për shumë klube të Superiores.
Pikërisht Tirana, skuadra prej ku u largua në verën e 2012-ës, ishte e para që kontaktoi sulmuesin, duke nisur negociatat, megjithatë së fundi është futur fuqishëm në garë edhe Vllaznia, që kërkon ta rikthejë në qytetin ku ka lindur dhe është rritur si futbollist.
Burime pranë lojtarit zbulojnë se këtë të shtunë ka pasur bisedime me presidentin e kuqebluve, Alban Xhaferin dhe palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje, që do ta rikthente Balajn në “Loro Boriçi” pas më shumë se 12 vitesh.
Sulmuesi 32-vjeçar është rritur te Vllaznia, por ka luajtur vetëm një sezon me kuqeblutë, në periudhën 2009-2010, kur edhe ka shënuar 17 gola në 38 ndeshje, aq sa i mjaftuan për të tërhequr vëmendjen e turqve të Genclerbirligi.
Një rikthim i mundshëm i Balajt, do të rriste edhe më shumë entuziazmin te Vllaznia, që këtë sezon me Mirel Josën në stol, synon të kthejë në Shkodër edhe titullin kampion, teksa aktualisht ka 25 pikë, 4 më pak se Partizani kryesues.
Top Channel