Një vajzë e mbijetuar e përdhunimit që frymëzoi një dokumentar të rrjetit BBC kur ndihmoi në burgosjen e mësuesit abuziv të fizkulturës, ka vdekur nga vetëvrasja, njoftonte sot mikesha e saj gazetare, gjithashtu viktimë të njëjtit pedofil.
Katie ishte abuzuar nga stërvitësi i vrapimit Paul North, i cili u dënua më pas për shumë sulme seksuale ndaj vajzave të shkollës që stërviste, dhe u burgos për dhjetë vjet.
Ish-gazetarja e Sky Sports, Charlie Webster, e cila prezantonte dokumentarin për mikeshën e saj në BBC, dhe beri njoftimin në rrjetet sociale. Zonja Webster ishte abuzuar gjithashtu nga North.
Ajo i bënte homazh mikes së saj “të guximshme” që u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Australi në fillim të javës.
40-vjeçarja Webster shpjegonte se ajo ishte njohur me Katie në të njëjtin klub vrapimi në Sheffield kur ishin fëmijë, duke shpjeguar se grupi ishte asokohe “si një familje”.
Në vitin 2021, Webster prodhoi dokumentarin e rëndë për mësuesin ‘e respektuar’ të vrapimit Paul North që abuzonte me vajzat e vogla që duhet të stërviste, duke ‘joshur e manipuluar atë dhe shoqet e saj’, e duke i bërë më objekt sulmesh të tmerrshme seksuale.
“Katie ishte shoqja ime, ishte në grupin tim të vrapimit, për të cilën unë realizova dokumentarin ‘Nowhere to Run: Abused by Our Coach’ (Të mos kesh ku të vraposh; E abuzuar nga trajneri yne). Katie ka vdekur e vetëvrarë”, shkruante gazetarja.
Ajo shtonte më tej: “Ne ishim shumë të lidhura, ndanim gjithçka, si fitoret dhe dështimet, ne punonim bashkë në stërvitje, megjithë presionin në të cilin na vinte trajneri ynë. E vetmja gjë që nuk ndanim, ishte abuzimi seksual që pësonim nga duart e trajnerit tonë”.
“Trajneri ynë na ndiqte, na manipulonte dhe bënte presion. Ai krijonte përçarje e frikë në grup, duke na vënë kundër njëra-tjetrës, që ne të mos tregonim për atë që po ndodhte. Ne ishim asokohe vetëm fëmijë”.
Ajo shtonte se Katie ishte përballur me guxim me North në gjykatë, duke ndihmuar që ai të burgosej.
“Katie shpëtoi shumë fëmijë të tjerë nga abuzimi i këtij përdhunuesi monstruoz. Ne e dinim se vajza të tjera ishin abuzuar para nesh, por Katie u sigurua që të mos kishte të tjera pas nesh”.
E ndjera Katie më pas krijoi jetën e saj në Australi, shtonte Charlie në homazhe, duke thënë se ajo vuajti traumën e abuzimit për shumë vite.
‘Katie u bë një atlete e dedikuar dhe e suksesshme disa disiplina, por trauma e abuzimit seksual nuk largohet kollaj”, shton ajo.
Deri dje një faqe bamirësie GoFundMe kishte mbledhur 6,000 paundë nga £5,000 që ishte objektivi, për riatdhesimin e trupit të Katie në Britani, vetëm dy ditë pas hapjes.
Në dokumentar, Webster interviston vajzat e grupit të vjetër të vrapimit dhe flet me to për eksperiencat e abuzimit nga North.
Ai u arrestua kur Webster ishte 19 vjeçe, e cila thotë në dokumentar se vetëm atëherë kuptoi se nuk ishte e vetmja që ishte abuzuar.
Një tjetër vajzë asokohe 15 vjecare e sulmuar nga North dëshmoi se i kishte treguar babait të saj pak pas abuzimit nga trajneri.
North u dënua me 10 vjet burg për sulmet e shumëfishta në një periudhë dy vjeçare.
Top Channel