Skandali në Fiks Fare/ Si u hodhën në kosh 100 milionë lekë për rrugën në Vaun e Dejës, “harruan” ta bëjnë!

12/01/2023 20:45

Fiks Fare denoncoi një skandal me një tender me vlerë 100 milionë lekë në Bashkinë e Vaut Dejës. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan banorët e një lagjeje në fshatin Kaçë, të cilët ankohen se gdhihen dhe ngrysen me baltë, gropa në rrugë.

“Na e kanë bërë të vështirë jetesën. Erdhën 3 vjet më parë dhe rregulluan disa rrugë të tjera. Këtë rrugën tonë e kanë lënë në mëshirë të fatit. Asnjë nuk kujtohet për ne. S’kalojmë dot, nuk çojmë dot as fëmijët në shkolla po ra shi” tha një banor, i cili thotë se edhe makina e tij kap në rrugën e paasfaltuar.

Ndërkohë, një banor tjetër tregoi se “Bashkia ndërhyri vetën e vitit 2019, por në rrugë të tjera dhe këtë e la në këtë gjendje”. Fiksi bisedoi edhe me kryeplakun e fshatit Kaçë, i cili tha se ka bërë disa kërkesa në Bashki, por që ende s’është rregulluar gjendja. “Ata na thonë me letra është bërë. Ne nuk duam letra, duam rrugën. Të bëjnë ç’të duan, ne iu drejtuam ‘Fiksit’ për një zgjidhje” thotë kryeplaku, tekca pohon se kërkesa e tyre është vetëm që rruga të shtrohet. “I bëjmë thirrje edhe kryeministrit Edi Rama, të kthejë sytë nga fshatrat e Shkodrës” thotë ai.

Pas këtyre ankesave, gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan Bashkisë së Vaut të Dejës, teksa biseduan me përgjegjësen e prokurimeve, Dorina Lino. Ajo tregoi se banorët kanë bërë disa ankesa në bashki. “Kemi hapur dokumentet e punëve në fshatin Kaçë. Rruga për të cilën ankohen banorët e lagjes në Kaçë rezulton se është shtruar me asfalt në vitin 2019” thotë Lino.

Më tej pohon se tenderi ka qenë 8.5 milionë lekë, teksa me TVSH shuma shkon në rreth 100 milionë lekë të vjetër. “Rruga duhej të asfaltohej që në vitin 2019. Në arkivë janë dokumentet që Bashkia e ka marrë në dorëzim, në prani të firmës, mbikëqyrësit dhe kolaudatorit. Është dokumenti që vepra është marrë në dorëzim të përkohshëm dhe me këto dokumente firma fituese ka kërkuar të tërheqë edhe 5 % e garancisë” tha përgjegjësja e prokurimeve. Në fund pohoi se Bashkia do të ndërmarrë të gjithë hapat e mëtejshme ligjore, ndërkohë “banorëve do t’u vijmë në ndihmë”.

Fiksi kërkoi dokumentet e procedurave tenderuese të kryera në korrik të vitit 2019. Në dokumente thuhet se Bashkia e Vaut të Dejës ka bërë një tender me objekt “asfaltim i rrugëve të fshatit Kaçë”. Tenderi është bërë në verën e vitit 2019, para zgjedhjeve lokale. Ndërkohë, rruga është ndërtuar gjatë periudhës tranzitore, ku ish kryetari, Zef Hila dhe zëvendësi i tij, Admir Hasmegaj, po linin detyrën. Vlera e procedurës ka qenë rreth 10 milionë lekë të rinj me TVSH. Rruga do të ndërtohej për vetëm 16 ditë, 15 – 31 korrik 2019. Ndërkohë, vetëm 3 ditë pas përfundimit të afatit, në datën 2 gusht 2019, Bashkia e Vaut të Dejës ka lëshuar edhe Certifikatën e Përkohshme të marrjes në dorëzim të punimeve. Këtë dokument e ka firmosur administratori dhe drejtuesi teknik i firmës fituese “Rroku Guest”. Mbikëqyrësi i punimeve, por edhe kolaudatori. Madje, në fund, është edhe firma e ish-nënkryetarit Admir Hasmegaj. Në të njëjtën ditë, 2 gusht 2019, është firmosur edhe akt-kolaudimi. Por edhe akti i vlerësimit.

Bashkëngjitur këtyre dokumenteve, është edhe një hartë treguese, për rrugën dhe metrat që duhet të shtroheshin. Fiksi krahasoi dokumentet e tenderit me punët në terren, ku në letra rezultoi se rruga ishte asfaltuar, ndërkohë në terren ishte me shumë gropa, të mbushura me ujë. Nga shfletimi i këtyre dokumenteve rezulton se çuditërisht, Bashkia e Vaut të Dejës, e ka marrë në dorëzim këtë rrugë. Megjithëse kjo rrugë nuk është bërë. Në dokumentin e marrjes në dorëzim shkruhet: “Nga kontrolli i ushtruar në objekt rezultoi se janë zbatuar kushtet teknike të zbatimit”. Dokumenti vijon se “punimet janë realizuar me cilësi të mirë. Objekti konsiderohet i përfunduar dhe merret në dorëzim nga investitori në prani të sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe kolaudatorit”. Në dokument shkruhet gjithashtu se “objekti është gati për tu vënë në shfrytëzim”.

Madje, firma fituese “Rroku Guest” i ka kërkuar Bashkisë së Vaut të Dejës edhe garancinë pasurore prej 5 %. Kjo garanci jepet kur lidhet kontrata dhe i kthehet firmës nëse 1 vit pas përfundimit të punimeve, rruga nuk ka pësuar defekte, degradim. Por, drejtuesit e tanishëm të Bashkisë nuk e kanë firmosur, pasi vepra ende s’ka përfunduar!

Fiksi tentoi që të kontaktonte edhe me firmën fituese “Rroku Guest”, në numrin e telefonit që ndodhej në ekstraktin e firmës në QKB. Por, numri dilte i padisponueshëm. Gazetarët i dërguan edhe një e-mail, i cili ndodhej gjithashtu në ekstrakt, por deri në transmetimin e këtij investigimi, firma s’ka kthyer përgjigje.

FOTO GALERI
3/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA