Marrëveshja është afër? Kurti i përgjigjet Chollet: Asociacioni në ujdinë finale, por…

12/01/2023 18:49

Nga Vjena ku ndodhet për një vizitë zyrtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pohoi se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të shtrohet brenda një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pohoi gjatë vizitës në Prishtinë, se Kosova “duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”. Chollet e cilësoi Asociacionin si një çështje urgjente e kërkoi nga Kosova që të japë propozime sa i përket themelimit të tij. Kurti vazhdoi t`i mëshonte megjithatë idesë së tij se një asociacion njëetnik është kundër frymës së Kushtetutës të Kosovës.

“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty mund të shtrohet edhe çështja e Asociacionit. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është hartuar nga zoti Marty Ahtisaari dhe nga Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje të hartuar nga Ahtisari dhe Rohan, e thotë qartë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”.

Komentet e tij i referoheshin të ashtuquajturit Plani i Ahtisaarit, që parapriu shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008. Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposavic dhe Shtërpcë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës megjithatë, në 2015-tën doli në përfundimin se në formën e saj,  marrëveshja e nënshkruar po atë vit për themelimin e Asociacionit, bie ndesh me disa pika të dokumentit themeltar, që duhen rishikuar.

Top Channel