Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, tha para vizitës së zyrtarit amerikan, Derek Chollet, se premtimi i SHBA-së se formimi i Asociacionit e komunave me shumicë serbe do të nisë në janar, pritet të jetë “në tavolinën” e bisedimeve.

“Kjo do të ishte shumë mirë, do të ishte zbatim i Marrëveshjes së Brukselit”, tha ajo për televizion serb, Pink.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. Më pas, më 2015, është arritur marrëveshja mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Formimin e Asociacionit e kanë kërkuar edhe SHBA-ja dhe BE-ja. Pavarësisht këtyre kërkesave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Bërnabiç, megjithatë, deklaroi se nuk ka pritshmëri nga vizita e Cholletit në Beograd.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka nisur më 11 janar vizitën e tij në Kosovë. Paraprakisht ai ishte në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nesër pritet të shkojë në Serbi.

Siç njoftoi DASH-i, Chollet, do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

Kryeministrja e Serbisë tha po ashtu se presidenti i INTERPOL-it, Ahmed Naser Al-Raisi, me të cilin foli gjatë vizitës së saj të fundit në Dubai, i tha se gjatë mandatit të tij “nuk do të ketë politizim të organizatës ndërkombëtare policore”.

“Kjo do të thotë se nuk do të ketë anëtarësim të Kosovës në INTERPOL”, ka përfunduar Bërnabiç.

Në vitin 2019, Kosovatërhoqi kërkesën e saj për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL). Deri tani vendi nuk ka aplikuar më për anëtarësim në këtë institucion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA