Reshjet e dendura të shiut në vend/ Probleme në Lezhë dhe Shkodër, rrëshqitje gurësh në rrugën Mes-Ura e Shtrenjtë

10/01/2023 09:34

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në disa zona të vendit gjatë 24 orëve të fundit.

Mëngjesin e sotëm dhe gjatë orëve të mbrëmjes Lezha është shoqëruar me reshje të dendura shiu.

Si pasojë e reshjeve lagjja “Beslidhja” ka pasur prezencë të lartë uji nga bllokimi i kanaleve të ujërave të zeza duke sjell problem në qarkullimin e automjeteve dhe dërgimin e fëmijëve për në shkollë.

Edhe Shkodra po përballet me probleme pas reshjeve të shiut të një nate më parë.

Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka patur rrëshqitje të dherave dhe gurëve në segmentin rrugor Mes – Ura e Shtrenjtë në Njësinë Administrative të Postribës.

Bashkia Shkodër përmes firmës kontraktore ka nisur punën për pastrimin e dherave e gurëve, që sa më parë kjo rrugë t’i kthehet normalitetit në qarkullim. Ftojmë banorët e zonës dhe udhëtarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në këtë segment rrugor.

Dëme ka patur në këtë njësi edhe në kanalin vaditës, ndërsa po bëhen verifikimet përkatëse për të nisur më pas riparimet.

Kurse në Bulqizë kanë nisur reshjet e para të dëborës për vitin 2023. Reshjet janë në lartësinë 700 metra mbi nivelin e detit, ndërsa  ka edhe në afërsi të minierave të zones D, në minierat e Martaneshit si dhe të Tërnovës.

Policia lokale u bën thirrje drejtueseve të automjeteve që transportojnë minatorët të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirë në raste nevoje pasi terreni është i vështirë.

Pas ditëve me diell, jo tipike të janarit, vendi ynë është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore.

Temperaturat minimale regjistrohen në Peshkopi me 0 gradë C, kurse ato maksimale, 14 gradë C në qytetin bregdetar të Sarandës.

Kurse në qytetet si Bajram Curri, Kukës, Peshkopi, Pukë dhe Ersekë kanë nisur reshjet e dëborës.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA