Rritja e eksporteve bujqësore si perime, fruta dhe bimë medicinale këtë vit shënoi rritje në sasi dhe në vlerë, përsëri bujqësia në vitin 2022 solli më pak të ardhura në buxhetin e shtetit, sipas të dhënave nga INSTAT ky sektori shënoi një rënie me 0.28% në 9- mujorin e parë e vitit të kaluar.
Bujqësia ishte i vetmi sektor me rënie në vitin 2022, pasi ekonomia në tërësi vijoi të rritet mbi mesataren kryesisht nga zhvillimet pozitive në turizëm dhe në sektorin e ndërtimit. Dhe sektori më problematik i ministrisë së bujqësisë mbetet blegtoria, mbyllja e stallave po jep menjëherë dhe efektet negative në ekonominë e vendit.
“Blegtoria prej vitesh ka pësuar një rënie të konsiderueshme, dhe natyrisht që në ekonominë e ushqimit është një nga sektorët më potencial që ne kemi patur në kontributin që ajo ka dhënë në PBB. Por fakti që blegtoria vitet e fundit ka vazhduar të bjerë si në numër krerësh ashtu edhe në sasinë e qumështit ka bërë që në sektorët e tjerë duke përfshirë bujqësinë, nuk e ka përballuar dot këtë humbje . Dhe natyrisht nëse kjo humbje do të vazhdojë patjetër që sektori i ushqimit dhe bujqësia në veçanti nuk do e përballojnë dot“- shprehet eksperti i bujqësisë Agim Rrapaj.
Fajin se përse blegtorët po braktisin stallat me gjë të gjallë, e ka ministria e bujqësisë e cila dy dekadat e fundit harroi të mbështesë fermerin që mbarështon bagëti.
“Së pari duhet kaluar nga subvencionimi për krerë, tek subvencionimi për njësi prodhimi, pra subvencionimi për litër qumësht sipas cilësisë. Nëse nuk do të bëhet kjo ne do ta kemi shumë të vështirë të frenojmë rënien.”- shton eksperti.
Por një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht në bujqësinë shqiptare është dhe largimi i popullsisë nga zonat rurale, të cilat sjellin shtimin e tokave të papunuar si dhe mbylljen e stallave.
Top Channel