Vjedhja në shtëpinë e Alda Klosit/ Reagon Rama: Llumi po pastrohet nga Reforma në Drejtësi, këto janë prova të vullnetit kundër korrupsionit

09/01/2023 17:31

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në lidhje me vjedhjen e mijëra eurove të padeklaruara, në shtëpinë e ish-drejtoreshës së koncensioneve Alda Klosit. 

Me anë të një postimi në Twitter Rama është shprehur se e gjithë skema doli “sheshit” falë Reformës në Drejtësi dhe punës së institucinëvë ligjzbatuese, të cilat në një kohë tjetër sipas Ramës, nuk do ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim.

Kryeministri tha gjithashtu se vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë dhe se forca e ligjit nuk duhet të ndalojë përpara askujt.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdo qoftë.”- është shprehur kryeministri Rama.

Ngjarja ka ndodhur më 15 dhjetor, kur pastruesja e ish-drejtoreshës së koncensioneve Alda Klosit, Rozeta shkoi në shtëpinë e Aldës për të bërë një kontroll, ku ka vënë re në dhomën e gjumit një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri.

Pasi e ka hapur kasafortën, brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500, 200 euro dhe 100 dollar, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj Aldës i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj.

Hetimet marrin kthesë tjetër pas deklaratës së pastrueses se të gjitha paratë e gjetura në banesën e saj, janë grabitur nga banesa e Aldës.

Burime policore që po hetojnë ngjarjen i thanë Top Channel se kanë nisur verifikimet ndaj Alda Klosit për të dhënë sqarime se kush ishte burimi i shumës së parave të grabitura në shtëpinë e saj.

Top Channel