Rritja e çmimeve është ngadalësuar edhe në dhjetor duke bërë që norma e inflacionit të pësojë rënie. Sipas Institutit të Statistikave, inflacioni zbriti muajin e kaluar në 7.4%, nga 7.9% që ishte në nëntor.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është gati dyfish më i lartë duke reflektuar shtrenjtimin e fortë të çmimeve.
Në fakt, festat e fundvitit tradicionalisht sjellin një shtrenjtim të çmimeve dhe rritje të inflacionit, por duket se tashmë sinjalet e frenimit të konsumit në vend kanë sjellë rënie të tij duke shfaqur efektet e pritshme të rritjes masive të çmimeve.
Shtrenjtimi më i madh vërehet në artikujt ushqimor që këtë muaj u rritën me rreth 5%, por krahasuar me dhjetorin e vitit 2021 çmimet e këtij grupi janë 14.2% më të larta.
Por, rritja e çmimeve është konstatuar në të gjitha grupet e marra në analizë duke përfshirë edhe grupet e tjera si mobilimi i shtëpive, komunikimi, ndërsa qytetarët po paguajnë më shumë edhe për shërbimin arsimore, blerjen e veshjeve apo për argëtim.
Ndërkohë, transporti edhe pse ka parë një rritje të çmimeve edhe këtë periudhë, ka shfaqur një ngadalësim të çmimeve të karburanteve në vend duke ndikuar kështu edhe ecurinë e inflacionit në dhjetor. Çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie të ndjeshme së fundmi.
Kjo është rënia e dytë radhazi që ka shënuar inflacioni që prej janarit të vitit të kaluar kur nisi edhe vala e shtrenjtimit të çmimeve fillimisht prej ndikimit të hapjes së ekonomive prej pandemisë, e më pas nga marsi nisi edhe agresioni rus në Ukrainë çka tronditi tregjet globale duke bërë që çmimet të rriten në mënyrë të menjëhershme edhe në vendin tonë.
Top Channel