Një rebelim tronditës dhe një përgjigje mjaft e ashpër e autoriteteve: “Kaosi ka pushtuar Brazilin ku të paktën 1200 vetë kanë përfunduar në pranga pas një vale mësmyjesh të ndërtesave qeveritare në kryeqytetin e vendit.”

Mijëra mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro zbritën në rrugë në atë që u përshkrua si një prej goditjeve më të ashpra ndaj demokracisë në këtë shtet në 38 vite që prej fundit të diktaturës ushtarake.

Protestuesit nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve që i shkulën Bolsonaros pushtetin, e pretendojnë pa argumente, se votat janë vjedhur. Ish-presidenti vetë nuk ka bërë një deklaratë publike duke pranuar kështu humbjen, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Liderët botërore reaguan me tronditje dhe ankth ndaj sulmit kundër Kongresit, Gjykatës së Lartë dhe pallatit presidencial në Brazilia, episode këto që risollën në kujtesë mësymjen e Kapitolit në SHBA nga përkrahës të ish presidentit, Donald Trump.

Në një postim në Twitter drejtuar pasuesit të Bolsonaros, politikanit të krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, kryeministri indian Narendra Modi shkroi se ishte “thellësisht i shqetësuar nga lajmet për trazira e vandalizëm”.

Traditat demokratike duhet të respektohen nga të gjithë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për autoritetet braziliane”, u shpreh ai.

Në Europë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se “sulmet e dhunshme ndaj institucioneve demokratike janë një sulm ndaj demokracisë që nuk mund të tolerohet” dhe se Berlini “qëndron me Presidentin Lula dhe brazilianët”.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen postoi në Twitter dënimin e saj për “sulmin ndaj demokracisë në Brazil”, ndërsa Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel shkroi se Lula ishte “i zgjedhur në mënyrë demokratike nga miliona brazilianë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe të lira” që patën mbështetjen e plotë të BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA