Vajtja e Cristiano Ronaldos në Arabinë Sudite ka spostuar ndjeshëm vëmendjen në atë kampionat shumë pak të njohur në arenën europiane edhe botërore, megjithatë në të njëjtin kampionat, kundërshtarë të Al Nassr dhe Ronaldos është edhe sulmuesi kuqezi Sokol Cikalleshi, i cili për nga vlerësimi financiar ashtu si CR7-ta është një lloj Ronaldoje në klubin e tij Al Khaleej.
Në një intervistë për Top Channel Cikalleshi tregon:
“Fillimi ka qenë i vështirë pasi kultura ambientimi, donte kohën e vet. Lojtari duhet të jetë paksa i sakrificës që të luaj këtu. Ka pas raste në fillimet e mija në shtator, temperaturat ishin shumë të larta deri në 47 gradë, kemi luajtur ndeshje që janë ekstreme për një futbollist. Kështu që edhe presidentëve këtu i duhet të bëjnë një sforco më shumë që të bindin lojtarët për të qenë pjesë e kampionatit arab”.
A ka qenë edhe për të ashtu si Ronaldo ana financiare ajo që e bindi për t’u larguar nga Europa?
“Ana financiare, po të them me seriozitet që është ndër gjërat kryesore edhe pse mua smë ka munguar as në Turqi. Sikurse e thashë, ishte një mundësi që unë mund të përfitoja nga të gjitha drejtimet që ta bëja këtë hap”, përgjigjet ai.
Po si ka ndikuar kalimi i Ronaldos në kampionatin arab?
“Kjo ka ndikuar shumë mirë, e kemi ndjerë edhe ne këtë vëmendje. Besoj që në të ardhmen vëmendja dhe niveli do të rritet akoma edhe më shumë dhe me ardhjen e Cristiano Ronaldos pse jo mos vijnë edhe lojtarë të tjerë që të jenë pjesë e këtij kampionati”, thotë futbollisti.
Ditën e hënë prezantohet edhe trajneri i ri i kombëtares kuqezi Silvinjo, keni dëgjuar për të.
“Preparatori atletik i yni e njihte shumë mirë dhe ai më tha që trajneri i Shqipërisë do të vij Silvinjo. Më tregoi se e njihte dhe e pyeta si është? Luan Tiki Taka më tha si Guardiola”.
Çfarë pritshmërish ka ai nga një trajner brazilian, djalë i ri?
“Duke parë cilësitë e lojtarëve që ne kemi tani që luajnë në skuadra të mëdha europiane duhet parë pasi është risi për ne. Uroj që të jetë e duhura, sepse ne përveçse të luajmë futboll duhet me pas edhe elementët e tjerë që janë harmonia në grup cilësia lojtarëve po ashtu shpirti i garës”.
Top Channel