Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit kanë festuar këtë të premte Ditën e Ujit të Bekuar. Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë.
Procesioni ka nisur me meshën në kishë dhe më pas vargu i gjatë i besimtareve i janë drejtuar shatërvanit në sheshin Europa, ku si çdo vit tjetër ndiqet hedhja e kryqit në ujë. Në praninë e dhjetëra besimtarëve ortodoksë dhe qytetarëve të tjerë është ndjekur edhe momenti i hedhjes së kryqit në ujë. Disa të rinj, edhe pse temperaturat ishin të ulëta, janë hedhur në ujë për të kapur kryqin, të motivuar për të fituar trofeun dhe më pas shpërblimin.
Ka qenë 15-vjeçari Angjelo Davidi që ka nxjerrë kryqin nga uji.
Ai i ka dorëzuar kryqin metropolitit At Nikolla, i cili e ka bekuar. Ky rit fetar i ortodoksëve është shënuar si dita e Shën Trinisë, kur Krishti pasi mbushi 33 vjeç, u pagëzua nga ujërat e Lumit Jordan nga Gjon Pagëzori. Sipas besimtarëve, sot të gjitha ujërat që rrjedhin janë të bekuar nga Zoti dhe të gjithë nxitojnë të mbushin ujë dhe ta ruajnë atë për gati një vit, deri në vitin pasardhës.
Top Channel