Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën shenjtë të Ujit të Bekuar, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë.
6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, ose e njohur në popull si dita e Ujit të Bekuar për besimtarët beratas është një prej kremtimeve më të mëdha të Kishës, nëpërmjet të cilës ata përkujtojnë pagëzimin e Zotit të tyre Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan, duke e pasqyruar këtë pagëzim të shenjtë çdo vit në ujërat e lumit Osum.
Ceremonia e kësaj dite të shenjtë filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, At Johan Qako, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e këmbanave të Kishës, iu drejtua lumit Osum për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.
Shtatë të rinj u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit. Kryqi u kap nga 22-vjeçari Vasil Tapija, banues në lagjen “Goriricë” në Berat. Për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 15. 000 lekë. Më pas,ai shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu.
I riu Vasil Tapija shprehet se është viti i katërt që hidhet në lum për kryqin dhe hera e parë që e kap. Ai thotë se ndihet i lumtur dhe uron të gjithë besimtarët në këtë ditë të bekuar.
Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë.
Top Channel