Fatura të reja për Ahmetajn/ Gazetari nxjerr pagesat e Zotos që nuk u “panë” nga prokurorët e SPAK

05/01/2023 19:30

Gazetari Adriatik Doçi ka nxjerrë të tjera prova që tregojnë se ish-ministri Arben Ahmetaj është përshirë në çështjen e inceneratorëve.

Udhëtimet e kushtueshme të ish-ministrit Ahmetaj me partneren e tij, janë paguar nga Klodian Zoto, pronarit të shoqërisë koncensionare të inceneratorëve.

Po këto nuk janë pushimet e vetme që Ahmetaj ka marrë si dhuratë nga Klodian Zoto. Gazetari Doçi, ka publikuar pagesat e reja të Klodian Zotos për Arben Ahmetajn dhe ish-bashkëshorten e tij të parë në Pisa, Vjenë dhe Maltë.

Nëse dokumentet e publikuara në dhjetor 2022 konfirmonin se Zoto ka paguar akomodimin në hotele partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, faturat e publikuara sot, sipas Doçit konfirmojnë se Klodian Zoto bosi i inceneratorëve, ka mbuluar udhëtimet edhe të ish-bashkëshortes së Ahmetajt si dhe të vetë Ahmetajt.

Pasi ish-ministri ka firmosur në 14 prill 2014 për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto i ka kthyer reston, duke i mbuluar shpenzimet Ahmetajt, ish-bashkëshortes si dhe partneres. Pagesat e Klodian Zotos për mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij, i përkasin periudhës 2015-2016. Me paratë e inceneratorëve, çifti Ahmetaj ka vizituar simbolet turistike të Evropës. Udhëtimet dhe akomodimet në hotele luksoze përkojnë me hyrje-daljet e shënuara në sistemin TIMS.

Sipas Doçit, pagesat korruptive nuk u kanë bërë ‘përshtypje’ dy prokurorëve Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho, gjatë zbërthimit të tre kompjuterëve dhe telefonit të Klodian Zotos në mars 2022, ku sipas gazetarit Doçi, dy prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar qëllimisht hetimet për të mos çuar përpara drejtësisë zyrtarin e lartë socialist dhe një nga firmëtarët e inceneratorit, Ahmetaj, sipas tyre ky hetim ka cenuar besimin tek SPAK dhe ka ngarkuar me përgjegjësi penale persona me rol periferik.

Nga viti 2013 deri në vitin 2018, Klodian Zoto ka kryer dhjetëra pagesa me vlerë mijëra për udhëtime akomodimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetaj në Bukuresht, Milano, Frankfurt, Milano, Monte Carlo. Pagesa të së njëjtës natyrë sipas Doçit janë konstatuar nga hetuesit si dhe janë bërë pjesë e dosjes hetimore për Etleva Kondin, ish-drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Energjetikës dhe anëtarë e Komisionit të Vlersimit të Ofertave për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit.

Kondi është marrë e pandehur nga SPAK. Ligji penal dhe procedural penal është zbatuar për ish-zyrtaren e nivelit të mesëm Etleva Kondin, por jo për zyrtarin e nivelit të lartë Arben Ahmetajn.

Doçi, gjithashtu foli dhe kundër Prokurorit të SPAK, Alfred Shehu, i cili vendosi mbylljen e hetimeve ndaj dy kolegëve të tij që kësaj here ishin në krah të ish-zëvendës kryeministrit Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA