Shqiptari Andi Alushi 27 vjeç dhe lituanezi Valdemaras Kasinskas 39 vjeç, janë autorët e shpallur fajtor nga drejtësia angleze për rrëmbimin e dy shqiptarëve dhe mbajtjen e tyre peng në qytetin e Sheffield-it në veri të Anglisë.
Ata janë dënuar me afro 20 vjet për trajtimin barbar të shqiptarëve, në maj të vitit të kaluar duke i detyruar të hanin ushqim nga tasa ku hanin zakonisht qentë dhe duke i lidhur ata pas radiatorëve. Sipas medias vendase, viktimat ishin mbajtur për dy javë, të rrëmbyer dhe kishin djegie të rënda në duar dhe në trup.
Sipas policisë, në momentin e shpëtimit, viktimat thjesht u kane thanë “faleminderit” policëve të armatosur, ndërkohe që atyre u kërkoheshin para nga familjet në Shqipëri për çështjen e një shtëpie bari të çmontuar. Ky është rasti i dytë brenda disa muajsh, kur në tetor të vitit 2022, pas një bashkëpunimi mes policisë shqiptre dhe NCA, Agjencisë britanike të Luftës kundër Krimit, arritën të lironin një 30-vjeçar shqiptar pasi pesë rrëmbyesit i kërkonin deri në 400 mijë sterlina familjes së viktimës në Shqipëri, pasi më pare e rrihnin dhe torturonin gjatë rrëmbimit dhe filmimit të tij, videot e të cilit ia dërgonin familjes në Shqipëri.
Grupet e krimit të organizuar shqiptar të përfshire sidomos në tregtinë e drogës shpesh kanë postuar në rrjetet sociale, si në TikTok, foto dhe video ultra-kërcënuese për të frikësuar rivalët e tyre në biznesin e kultivimit dhe shpërndarjes së kanabisit në Londër dhe në shumicën e qyteteve britanike.
SPAK njofton se gjatë muajit gusht 2022 është krijuar një Skuadër e Përbashkët Hetimore për hetimin e këtyre çështjeve. Pjesë e Skuadrës së Përbashkët hetimore nga Mbretëria e Bashkuar janë Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës dhe Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut, ndërsa nga Shqipëria janë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, si dhe oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.
Në vazhdim të hetimeve të përbashkëta në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuara, janë dërguar në gjykim të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinskas. Pas deklarimit fajtor nga Gjykata e Kurorës në Shefielld, të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinkas, më datë 03 janar 2023 janë dënuar për veprat penale të kryera prej tyre me nga 19 vjet e 6 muaj burgim.
Spak njofton se në bashkëpunim me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hetimet vazhdojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Top Channel