Bernard Arnault, njeriu i ri më i pasur në botë! Si arriti të lërë pas Elon Musk dhe Jeff Bezos

03/01/2023 09:37

Vetëm pak më shumë se një vit pasi u klasifikua si njeriu më i pasur i botës, Elon Musk është përmbysur nga froni të cilin nuk arriti ta mbante gjatë.

Manjati detyrohet t’ia lërë kreun e listës miliarderit francez, Bernard Arnault, i cili ka ngritur një perandori masive dhe fitimprurëse të shitjes me pakicë të markave luksoze.

Analistët e Forbes dolën në përfundimin se pasuria e 73 vjeçarit kap shumën 180,2 miliardë dollarë, që është gati 17 miliardë dollarë më shumë se ajo e Elon Musk. Arnault është bashkëthemelues, drejtues dhe CEO i LVMH Moet Hennessy Louis Vuitton, i quajtur zakonisht LVMH. Tek kompania e tij ai është aksioneri i saj më i madh dhe ka shumicën e të drejtave të votës në shoqërinë e regjistruar në bursë.

Kjo nuk është hera  e parë që ai kryeson listën e njerëzve më të pasur në botë, pasi këtë pozicion e arriti shkurtimisht në vitin 2019, 2020 dhe përsëri në 2021. Nëse Musk arrin ta kthejë shpejt Twitter-in në kompani fitimprurëse, Arnault mund të mos e mbajë titullin e më të pasurit të botës për shumë kohë.

Megjithatë, arritjet e francezit janë për t’u shënuar, thonë ekspertët. Konglomerati i tij me bazë në Paris, përbëhet nga 75 marka të veçanta kryesisht pije, modë e nivelit të lartë dhe prodhime kozmetike. Ai ka mbi 175,000 punonjës dhe 5,500 dyqane. Në nëntor 2022, vlera e saj e tregut ishte sipas llogaritjeve të Statista-s rreth 371 miliardë euro, duke e bërë atë një nga kompanitë më të vlefshme në botë, përpara Mastercard, Chevron dhe Nestle.

Top Channel