Për dekada, biznesmenët super të pasur të Ukrainës kanë pasur fuqi të madhe ekonomike dhe politike brenda vendit të tyre.
Megjithatë, që nga pushtimi rus, oligarkët më famëkeq të Ukrainës kanë humbur miliarda të ardhura.
Përtej pasurisë së tyre të jashtëzakonshme, oligarkët e Ukrainës janë gjithashtu të njohur për zotërimin e pushtetit politik. Në vitin 2017, instituti Chatham House me bazë në Londër tha se ata përbënin rrezikun më të madh për Ukrainën. Nëpërmjet një rrjeti të gjerë aleatesh dhe deputetësh, oligarkët e Ukrainës kanë ndikuar vazhdimisht në miratimin e ligjeve për të mirën e perandorive të tyre të biznesit.
Presidenti Volodymyr Zelensky i quajti ata një grup njerëzish që mendojnë se janë më të rëndësishëm se ligjvënësit, zyrtarët e qeverisë ose gjyqtarët.
Por, si shumë civilë të zakonshëm, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, atyre u janë shkatërruar bizneset dhe pronat e tyre.
Lufta vetëm sa ka intensifikuar humbjen e të ardhurave për super të pasurit e Ukrainës. Por a do ta forcojë rënia e tyre demokracinë e Ukrainës?
“Absolutisht. Kjo luftë është fillimi i fundit për oligarkët në Ukrainë”, tha Sevgil Musayeva, kryeredaktor i uebsajtit të njohur të lajmeve Ukrainska Pravda.
“Ligji i de-oligarkizimit ishte një nga shkaktarët e parë kryesorë të vdekjes së tyre”, tha Serhiy Leshchenko, dikur një nga gazetarët investigativë më të shquar të Ukrainës dhe tani këshilltar i shefit të kabinetit të Presidentit Zelensky.
“Por ndërsa lufta u përshkallëzua, ajo e bëri jetën e oligarkëve edhe më të vështirë,” tha ai për BBC.
Top Channel