Dubai ka ulur me 30% taksën e alkoolit, në një përpjekje të dukshme për të nxitur turizmin, e po kështu do të heqë tarifat licencat personale të alkoolit, të cilën kushdo që kërkon të konsumojë pije të tilla në këtë vend, duhet ta mbajë me vete.

Prej disa kohësh tashmë, ligjet e rrepta të Dubait kanë nisur të zbuten, duke lejuar shitjen e alkoolit dhe gjatë ditës në periudhën e Ramazanit dhe e duke miratuar dhe shpërndarjen e tij në banesa gjatë pandemisë. Lëvizja e fundit shihet si një përpjekje për ta bërë qytetin më tërheqës për të huajt, përballë konkurrencës në rritje nga fqinjët.

Dy kompanitë që shpërndajnë alkool në Dubai, Maritime and Mercantile International (MMI) dhe African & Eastern, pohuan se do ta reflektojnë menjëherë uljen e taksave për konsumatorët. “Që kur filluam operacionet tona në Dubai mbi 100 vjet më parë, qasja e këtij emirati ka mbetur dinamike, e ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”, tha për Associated Press zëdhënësi i MMI, Tyrone Reid.

“Rregulloret e përditësuara së fundi janë të rëndësishme për të vazhduar sigurimin e blerjes dhe konsumit të sigurt dhe të përgjegjshëm të pijeve alkoolike në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, shtoi ai. Nuk është e qartë nëse lëvizja, e cila hyri në fuqi të dielën, do të jetë e përhershme. Financial Times e përshkroi masën si një provë njëvjeçare.

Emigrantët janë nëntë herë më shumë se vendasit në Dubain e njohur si “kryeqytetin e rajonit të Gjirit”, e zakonisht ata shkojnë në Umm al-Quwain dhe emiratet e tjera për të blerë alkool me shumicë.

Top Channel