Pas një lëngate të gjatë, është shuar në Vatikan në moshën 95-vjeçare ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, i pari Papë që dha dorëheqjen që nga viti 1415, kur qe larguar në të njëjtën mënyrë Gregori XII.
Racinger zgjodhi të tërhiqej nga drejtimi i kishës pothuajse një dekadë më parë për shkak të problemeve shëndetësore. Benedikti XVI udhëhoqi Kishën Katolike për pothuajse tetë vjet, deri më 2013, një kohë e turbullt kjo për institucionin fetar, themelet e te cilit u tronditen nga akuzat e abuzimeve seksuale të priftërinjve.
Benedikti i kaloi vitet e tij të fundit në Manastirin Mater Ecclesiae, në Vatikan. Pasardhësi i tij, Papa Françesku e kishte vizituar shpesh atë në rezidencën e tij. Edhe pse ish-kreu i Kishës Katolike që një kohë nuk gëzonte shëndet të mirë, Vatikani tha se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar edhe për shkak të moshës së thyer.
Të mërkurën, Papa Françesku, gjatë meshës në Vatikan, kërkoi që “të bëjmë një lutje të posaçme për Papën Emeritus Benedikt”, që tha se ishte shumë i sëmurë. I lindur në Gjermani me emrin Joseph Ratzinger, Benedikti më 2005, në moshën 78-vjeçare u bë papa më i vjetër që u zgjodh në krye të Vatikanit.
Shumicën e kohës sa ishte në udhëheqje, Kisha Katolike u përball me pretendime ligjore dhe raporte zyrtare për abuzimin e fëmijëve për dekada me radhë nga priftërinjtë. Më herët gjatë këtij viti, Benedikti pranoi se kishte bërë gabime gjatë trajtimit të rasteve të abuzimit kur ai ishte kryepeshkop i Mynihut gjatë viteve 1977-1982.
Top Channel