Në Kuvend u debatua për fondet e pa shfrytëzuara për t’i shpërndarë në dikastere të ndryshme.
Deputeti Erjon Braçe propozoi që bujqësia të merrte 1 miliardë lekë për të paguar naftën e fermerëve, por kjo nuk ndodhi edhe pse financat kanë mjaftueshëm fonde që nuk janë përdorur gjatë vitit 2022.
Zv/ministri i Bujqësisë, Enio Civici shpjegon se përse nuk u morën këto fonde.
“Ministria e Bujqësisë është pjesë e qeverisë shqiptare, kur miratohet buxheti, kur rishikohet buxheti, kur vendosen fondet se në cilin digaster apo sektor do të shkojnë, është një marrëveshje e përbashkët në bazë të të gjitha sfidave me të cilat përballet ekonomia dhe shteti shqiptar. Ministria e Bujqësisë nuk refuzoi, arriti të merrte 200 milionë lekë të cilat ia drejtoi blegtorëve dhe të përmbushte kërkesat e tyre për para dhe mbështetje, për 1 mijë plus atyre që kishin përfituar deri tani”, tha Civici.
Por a ka ndonjë zgjidhje për fermerët që shpenzuan gjatë muajve të krizës.
“Javët e para të 2023-shit janë javët në të cilat hartohet VKM-ja për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi, aty do të konsiderohen të gjitha kërkesat, të gjitha nevojat që ka sektori, qoftë për naftë, qoftë për fara, fidanë apo me të gjitha masat mbështetëse që synojnë t’ia ulin barrën fermerit shqiptar”, shtoi zv.ministri.
Top Channel