Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mohoi të ketë pasur ndonjë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në këmbim të heqjes së barrikadave në veri.
“Nuk ka garanci të tilla nga Qeveria e Kosovës. Asociacioni i komunave u bë asociacion i barrikadave. Ata i duan komunat që t’i bëjnë si barrikada. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, duan që t’i bëjnë 10 komuna bashkë”, tha Kurti.
Pas 19 ditësh bllokimi të rrugëve, grupet e serbëve nga veriu i Kosovës i hoqën një ditë më parë barrikadat e ngritura pas arrestimit të një ish polic serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Zhbllokimi i situatës erdhi pas lirimit të Pantiç, të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të cilit masa e paraburgimit iu ndryshua në “arrest shtëpie”.
Themelimi i Asociacionit ishte kushti tjetër i serbëve lokalë për heqjen e barrikadave. Kurti u bëri thirrje serbëve që të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës. Një ditë përpara heqjes së barrikadave, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkovic, qe shprehur se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.
Kur u pyet për kthimin e serbëve të dorëhequr në institucionet e Kosovës, ai tha se “mund të bëhet aplikim i ri, jo kthim”. Tepër gjatë është toleruar retorika luftarake nga Beogradi, por edhe qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes me çështje si targat.
Kërkohet pajtimi mes popujve, thotë ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler. Ka shumë simpati për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë, hapat e parë janë aty, më në fund po vjen edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, kështu është thënë të paktën, ndërsa tani grindemi rreth targave. Zoti im, çfarë është kjo? Kjo është e pamundur, u shpreh ai.
Top Channel