Kur na ndajnë edhe pak orë nga nata e ndërrimit të viteve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përgatitjet e fundit në sheshin “Skënderbej” për koncertin e madh. Veliaj siguroi qytetarët për një spektakël fishekzjarrësh dhe i ftoi ata që t’i bashkohen festimeve.
“Këtë vit Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Duke filluar nga nesër do të jetë Qyteti Europian i Sportit, kështu që mënyra më sportive është të jemi në shesh. Ne do të fillojmë festimet që në orën 22:30 në mbrëmje me një grup këngëtarësh fantastikë dhe në mesnatë do të kemi spektakël fishekzjarresh të jashtëzakonshëm, të dedikuar sidomos për çunat dhe gocat e vegjël të Tiranës. Kemi përgatitur një show, një shfaqje me fishekzjarre 10 deri në 15 minuta dhe besoj do të jetë e paharrueshme”, tha ai.
Veliaj përshëndeti vendimin e qeverisë për t’ju gjendur pranë qytetarëve me paketën e madhe të ndihmës. Ai theksoi se festa e sotme do të hapë një faqe të re për atë që do të jetë historia e qytetit.
“Është një mënyrë për të lënë pas gjithë ato andrralla dhe gjithë ato vështirësi që kemi kaluar në këto kohë të vështira edhe me inflacionin që erdhi nga lufta, edhe me tërmetin, edhe me pandeminë. Tani është koha për të parë përpara dhe jo mbrapa. Ndaj, dhe më vjen mirë që dhe paketa e qeverisë për ata që janë me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, për zjarrfikësit, për infermierët, për doktorët, për ushtarakët, për policët është në kohën e duhur. Besoj se po të jemi bashkë, siç jemi në familje, si një qytet që sheh përpara, që punon, që është i fokusuar tek e ardhmja, ditët më të mira do t’i kemi gjithmonë në dorën tonë. Unë besoj fort se festa e sotme do të mbyllë një kapitull dhe hap një faqe të re për atë që do të jetë historia e qytetit tonë”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e punës për natën e ndërrimit të viteve. Ai falënderoi dhe të gjithë ata që ato orë do të jenë në shërbim të komunitetit.
“Dua që në fund të këtij viti të falenderoj me gjithë zemër ata që do të jenë duke shërbyer. Sapo përfundova një takim me drejtorin e policisë edhe të Bashkisë, edhe të Policisë së Shtetit. Kemi marrë masat dhe do të kemi qindra trupa në terren që të shkojë çdo gjë fjollë. Për sot do të ketë një tolerim, sot dhe nesër për lokalet mund të vazhdojnë edhe mbas mesnate. Besoj që në ditë festash ka mirëkuptim edhe ka gjithmonë dëshirë që gjërat të shkojnë sa më fjollë. Kështu që porosia për të gjithë është kënaquni, por sigurisht me masë alkooli, sidomos për ata që janë me timon. Një falenderim të veçantë zjarrfiksëve që do të jenë në dispozicion gjithë natën, mjekëve dhe infermierëve dhe sigurisht urimet e para do të vijnë nesër në mëngjes me të parëlindurit e qytetit tonë për një vit sa më të mbarë”, nënvizoi Veliaj.
Top Channel