Boks/ Protagonist “The Gypsy King”, Usyk i tregoi sërish forcën Joshuas

31/12/2022 21:00

Viti 2022 ishte projektuar si një sezon i shkëlqyer për boksin, sa i përket peshave të rënda, megjithatë të gjithë të pasionuarit do të duhet të presin akoma për të parë duelin e shumëpritur ndërmjet Tyson Fury dhe Anthony Joshua.

Pavarësisht se supersfida ishte planifikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, diçka e tillë nuk ndodhi, teksa shumë raportime bëjnë me dije se supersfida historike mund të zhvillohet në fundin e vitit 2023.

Negociatat për sfidën e Fury me Joshuan u ndërprenë në muajin tetor, ku Fury më pas vendosi të mbrojë titullin e tij kundër Derek Chisora në fillimin e muajit dhjetor. Tyson Fury triumfoi ndaj Derek Chisorës, duke mbrojtur për herë të tretë titullin e Kampionit të Botës për pesha të rënda në boks.

Nën një atmosferë elektrizuese në “Tottenhan Hotspur Stadium” dhe para syve të ukrainasit Usyk, që ishte ulur në rreshtin e parë, “The Gipsy King” bëri një tjetër betejë fantastike, duke ruajtur rekordin e tij të pathyeshmërisë.

Beteja, ishte mjaft interesante, ndonëse përveç raundit të parë, Fury nuk u vendos asnjëherë në vështirësi dhe pas raundit të tretë, nisi të sulmojë shpesh Chisorën, duke ia ulur ndjeshëm rezistencën.

Gjithçka mori fund në raundin e 10-të, kur Chisora e kishte të pamundur të vijojë dhe arbitri vendosi të ndalë betejën, duke shpallur automatikisht fitues Tyson Furyn. Megjithatë, për kampionin e peshave të rënda përballja me Chisorën nuk ishte e vetmja në vitin 2022, pasi në muajin prill ai përsëri mbrojti titullin kampion përballë Dillian Whyte.

Dueli mes Tyson Fury-t dhe Wyhte, u zhvillua në Wembley para 94 mijë spektatorëve dhe zgjati vetëm 6 raunde. Në sekondat e fundit të raundit të gjashtë, “The Gipsy King” e rrëzoi në tapet bashkëkombësin e tij me një të djathtë të befasishme në mjekër, që ishte aq e fortë sa 34-vjeçari i lindur në Xhamajkë, e pati të pamundur të mbante ekuilibrin kur iu kërkua nga gjyqtari të hidhte disa hapa drejt. Për Fury-in ishte një triumf madhështor, pasi ia doli mbanë të ruante gjerdanin e artë në WBC.

Nga ana tjetër, në vitin 2022 në boks u rikthye edhe njëherë tjetër përballja midis Olesandr Usyk dhe Anthony Joshua.

Ashtu si edhe në sfidën e parë, sërish ndeshja për titullin e Botës në Kategorinë e Peshave të Rënda, nuk pati shumë histori. Ukrainasi triumfoi falë vendimit të jurisë pas 12 raundeve në të cilat pjesën më të madhe të kohës ishte në udhëheqje duke diktuar ritmin në ringun e Arabisë Saudite. Shpeshherë Usyk gjeti të zbuluar britanikun duke i dhënë goditje tronditëse në kokë, por edhe në trup.

Nga ana tjetër, Joshua bëri mirë vetëm në raundin e nëntë, kur me pak këmbëngulje edhe mund ta kishte hedhur në tapet Usyk, megjithatë ukrainasi rezistoi dhe menaxhoi më së miri energjitë për t’i shkuar ndeshjes deri në raundin e 12-të dhe më pas për të fituar falë vendimit të jurisë.

Ndërkohë pas sfidës, një moment për t’u veçuar ishte shfaqja që dhuroi Joshua, i cili komplimentoi kundërshtarin edhe pse iu afrua Usyk duke theksuar se ai nuk është shumë i fortë, por ka shumë aftësi. Ukrainasi, ruajti qetësinë deri në fund, teksa e tregoi edhe njëherë në ring se Joshua për të është një kundërshtar lehtësisht i kalueshëm ndërsa më parë Joshua guxoi edhe të flakte jashtë ringut titujt e Usyk.

Gjatë vitit 2022 ishte planifikuar edhe një tjetër duel i madh, ajo mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk por pa sukses pasi nuk u realizua. Sfida e planifikuar vetëm një ditë para finales së Botërorit, në 17 dhjetor në Arabinë Saudite nuk u konkretizua, teksa njëjtë si përballja me Joshuan, Tyson Fury do të përballet me Usyk në vitin 2023.

Viti i ardhshëm pritet të jetë një nga vitet më të suksesshme në boks për kategorinë e peshave të rënda, me protagonistët kryesor Tyson Fury, Olesandr Usyk dhe Anthony Joshua./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA