Gjykata e Posaçme shtyu për në 18 janar 2023 vendimin për seancën paraprake të inceneratorit të Elbasanit pasi nuk ishte bërë njoftimi i të akuzuarve Klodian Zoto, Stela Gugallia dhe Mirel Mërtiri.
Megjithëse SPAK këmbëngul se ka veçuar hetimin për ish ministrin Arben Ahmetajn, një denoncim i gazetarit Adriatik Doçi ka lënë me pikëpyetje veprimet e dy prokurorëve me këtë dosje.
Janë disa fatura të paguara nga Klodian Zoto me përftues ish ministrin e Financave, Arben Ahmetaj që në disa episode udhëtoi dhe u akomodua në hotele luksoze jashtë Shqipërisë. Avokati i Klodian Zotos jep këtë version.
“Në drejtësi shkohet me letra dhe me letra unë them që prokurorët kanë kapërcyer kompetencat dhe akuzat duke i rënduar të gjithë të pandehurit në përgjithësi, por unë këtu përfaqësoj interesat e klientit tim që e kanë rënduar në mënyrë të jashtëzakonshme, është apo jo fajtor do e shpallë gjykata. Kemi disa kërkesa procedurale që do ti bëjmë në datë 18”, tha avokati Adrian Leka.
Leka çmon se gabimet e SPAK lidhen me hetimet e veçuara për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit.
“Ne kemi pakënaqësitë se prokurorët me dashje për ta rënduar procesin i kanë ndarë në dy procese edhe pse në të vërtetë është një proces, proces i inceneratorëve si ai i Elbasanit dhe i Fierit është me të njëjtat prova, me të njëjtët të pandehur, i njëjti proces, i njëjti aktivitet, megjithatë i kanë ndarë në dy pjesë duke i rënduar me akuza të ndryshme, nëse është bërë një korrupsion është një vepër penale pavarësisht nëse janë apo s’janë fajtorë”, shtoi avokati.
Në burg për dy inceneratorët janë përveç komisioneve të koncensionarit edhe ish ministri Lefter Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako, por jo Arben Ahmetaj.
Top Channel