Pas zbutjes së masës së sigurisë në arrest shtëpiak për ish policin Dejan Pantiç, u paralajmërua edhe largimi i barrikadave.

Lirimi i rrugëve për në Bërnjak dhe Jarinjë u tha se do fillojë në mëngjes, po nuk ndodhi deri pasdite. Largimi i barrikadave nisi edhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut e për 11 të tjerat duhej më shumë kohë.

Largimin e barrikadave e mirëpritën ndërkombëtarët. Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell u shpreh se ka triumfuar diplomacia, ndërkohë që KFOR-i e ka mirëpritur vendimin por kërkon largim më të shpejtë të barrikadave.

Në anën tjetër, opozita ka akuzuar për marrëveshje të fshehtë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, i cili tha se serbët vetë i larguan barrikadat.

Një barrikadë më problematike është ajo mbi urë tek Kërrshi i Dudës, kamionët të cilët e bllokonin rrugën Mitrovicë e Veriut – Zvecan janë djegur një natë më herët. KFOR-i dhe EULEX gjatë së enjtes kanë monitoruar situatën dhe largimin e barrikadave.

Top Channel