Politika në vend po orientohet gjithnjë e më shumë drejt spektaklit, sipas opinionistit Arjan Curri.

Në një diskutim në “Top Story” për ngjarjet që kanë shenjuar këtë vit, Curri shprehet se politika po zëvendëson spektaklin:

“Politika gjithnjë spektakël ka qenë dhe ngjarja më e dhunshme e politikës ka qenë gjithmonë në spektakël.

Historinë e bashkëngjitjes së spektaklit me politikën një fije e hollë i ndan. Tani imagjino kur politika zëvendëson spektaklin në vetvete. Nuk ka nevojë më për sportin, as për gladiatorët. Politika bëhet në vetvete spektakël dhe njerëzit harrojnë gjithë pjesën tjetër, harrojnë mirëqenien dhe hallet e tyre dhe duan të dinë çfarë i tha Rama sot filanit, sa bukur e shau”.

Ndërsa Ed Manushi, i ftuar në panel, shton se politikanët po bëhen të mërzitshëm:

“Kam idenë që nuk po e bëjnë më as spektaklin. Po i mërzisin njerëzit”.

Sipas Currit, “pushtetarët kanë zëvendësuar gladiatorët dhe kanë zbritur vetë në arenë”.

Ndërsa sipas artistit Robert Aliaj, politika i ka zënë vendin spektaklit dhe artit:

“Unë nuk kam parë në jetën time, një vend tjetër ku në kanale televizive ka politikë non stop dhe ku për një spektakël i mirëfilltë mediatik siç mund të jetë një debat për art, për letërsi nuk bëhet fjalë dhe nuk ka asnjë reagim”.

Ndërsa biznesmenia Donika Mici, e sheh situatën në këndvështrimin ekonomik. Sipas saj, politika duhet të interesohet më shumë për biznesin:

“Politika në Shqipëri është shumë agresive, merr gati 100 për qind të kohës dhe nuk ka kohë të merret me ekonominë. Këtë po shoh. Interesi i tyre është aq i fortë sa ekonomia ka ngelur pas. Ajo çfarë vë re pas pandemisë, shoh një rënie të theksuar të interesit për ta ndihmuar biznesin, për ta rikthyer përsëri në gjendjen e mëparshme. Ikja masive e njerëzve është humbje e madh për biznesin. Biznesi duhet ndihmuar për të qenë në këmbë”.

Top Channel