Ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe zyrtarë të tjerë të lartë ranë në rrjetën e drejtësinë këtë vit, pas hetimeve nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion.
Në një debat në studion e “Top Story” për këto ngjarje të bujshme të vitit 2022, gazetarja Fatjona Mejdini shprehet se shumë politikanë i tremben tashmë drejtësisë:
“Drejtësia luan me simbolikën. Po të shikojmë, edhe arrestimet që janë bërë në vendin tonë, zakonisht akuzat që ata i kanë çuar pas hekurave, kanë qenë gjëra simbolike. Kanë qenë gjëra të vogla nga ajo që mendohet.
Është shumë e rëndësishme sepse drejtësia flet shumë me simbolikë. Dhe çfarë do të thotë kjo? Nëse arreston një ish-ministër dhe e vendos atë pas hekurave, unë mendoj se kjo flet shumë dhe për të gjithë ata ministra që duhet të mendojnë se në një moment duhet të kenë të njëjtin fat. Po flasim për një njeri të fuqishëm politik, sikurse ishte Lefter Koka.
Sot kemi qenë Alqi Bllakon pas hekurave. Çfarë u themi ne atyre nëpunësve atje, çfarë sinjali u japim. U themi kujdes me ato që firmosni sepse do të vijë momenti që ju do të mbaheni përgjegjës për korrupsionin që mbase ju nuk e keni bërë.
Unë mendoj që të gjithë duhet t’i tremben drejtësisë. Do të më dukej çudi nëse do të kishte ndonjë politikan që nuk do të jetë trembur”.
Gazetarja përmend disa nga çështjet që janë në hetim dhe mund ‘të djegin’ zyrtarë të tjerë:
“Janë shumë çështje në fakt. Inceneratorët është një çështje e pambyllur, e cila gjithnjë mund të tërheqë figura të larta të mazhorancës që ne kemi në pushtet.
Kemi akuza për ish-presidentit dhe kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta për korrupsion. Nëse do të arrijnë të provohen, është fatale për të. Kemi akuza për familjarë të zotit Sali Berisha.
Kemi çështjen ‘Partizani’ që po hetohet aktualisht nga SPAK. Do të jetë domethënëse për drejtësinë dhe reformën në drejtësi”.
Top Channel