Artistët në Hollywood tradicionalisht kanë veshur kostume klasike serioze në tapetin e kuq, por si duket më në fund ky zakon po ndryshon.
Ka ikur koha kur të famshmit vishnin vetëm kostume klasike ose ‘smoking’. Në fakt, duke gjykuar nga dukjet më të mira të veshjeve për meshkuj këtë vit, ato së shpejti mund të bëhen një anomali.
Në vend të kësaj, burrat u paraqitën me zgjedhje më të guximshme të modës këtë vit, duke zgjedhur ansamble që variojnë nga skulpturore dhe interesante (kostumi XXL nga “Balenciaga” i Justin Bieber i veshur në “Grammy”) deri tek stilet e egra dhe dramatike (puplat e Lil Nas X nga dizajnerja Harris Reed, të cilin e ka veshur te “VMA”). Për nder të këtij ndryshimi emocionues, revista e modës “Vogue” ka vendosur të bëjë një listë me veshjet e burrave VIP, të cilët ishin më ekstravagantë dhe guximtarë këtë vit.
Kur Timothée Chalamet doli në tapetin e kuq në Venecia për premierën “For the Bones and All”, ai zgjodhi një bluzë të kuqe me shkëlqim të markës “Haider Ackermann” pa kurriz. Një pamje tjetër që bëri bujë? Kur Wesley Snipes u shfaq në “Oscars” të këtij viti me një xhaketë sportive të mëndafshtë dhe pantallona të shkurtra bermude të ngjashme, të dyja nga marka “Givenchy”. Ky ishte një ansambël që thjesht askush nuk mund ta parashikonte, por ne ende flasim për të muaj më vonë.
Por kjo nuk do të thotë se çdo pamje fituese e meshkujve në tapetin e kuq këtë vit ishte kaq dramatike. Kishte edhe shumë zgjedhje të fshehta që kishin ende një ndikim. Në më shumë se një rast, për shembull, aktori i filmit “Reservation Dogs”, D’Pharaoh Woon-A-Tai kombinoi kostumin klasik me bizhuteritë e tij të bëra nga indigjenët. Leslie Odom Jr. zgjodhi të shkonte drejt kostumeve më të rafinuara me ngjyra më të theksua, si stili i lirshëm dhe ngjyra blu e kostumit nga “Dolce & Gabbana” që veshi në premierën “Glass Onion” në Los Angeles muajin e kaluar.
Nga ato delikate në ekstreme, ngjarjet më të fotografuara të këtij viti dëshmuan se meshkujt e Hollywood po dalin jashtë zonës së tyre të rehatisë dhe po shkojnë për veshje më të guximshme. Me shumë gjasa në vitin 2023, diçka na tregon se kjo gjë do të shtohet edhe më shumë.
Top Channel