Kreut të Kishës Ortodokse serbe, patriarkut Porfirije i është kërkuar që të dënojë apo distancohet nga “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” në mënyrë që të qëndrojë në Kosovë për një vizitë disa ditore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, thotë se Porfirije ka bërë kërkesë më 23 dhjetor që të qëndrojë në Kosovë për tri ditë nga (26-28 dhjetor).

Por ata sqarojnë se  kërkesa për vizitë e Patriarkut nuk është refuzuar siç thotë Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat atje, por është ndërlidhur me deklaratën paraprake të distancimit nga veprimet dhe aktet në Veri.

Sipas Ministrisë deri te ky vendim institucionet kanë ardhur pasi, prifti ortodoks Predrag Popovic, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas, afër Beogradit, kishte pranuar se “ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar kufirin ilegalisht, duke përdorur rrugët anësore – sipas tij – për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it dhe kishte vizituar protestuesit në barrikadat ne Leposavic”.

Kisha Ortodokse Serbe tha më 25 dhjetor se Porfirije u “trondit” kur mori lajmin se autoritetet në Kosovës i kishin “ndaluar” vizitën e planifikuar në Kosovë.

Sipas njoftimit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, kishte kontaktuar përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it, për t’ua sqaruar se deklarata e kishës serbe është e pavërtetë, pasi kërkesa nuk është refuzuar.

Patriarku Porfirije kishte planifikuar të vizitonte Patrikanën e Pejës dhe disa objekte të tjera ortodokse në Kosovë.

Top Channel